Albin Kurti vesh fanellën e Kosovës, takohet me ekipin Kombëtar të “Dardanëve”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar gjatë ditës së sotme ekipin Kombëtar të Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur Federata e Futbollit të Kosovës, përmes një komunikatën për media, ku është publikuar se Kurti është takuar me presidentin e Federatës, Agim Ademin, trajnerin Bernard Challandes, si dhe kryetarin e tifogrupit “Dardanët”, Lulzim Berishën.
Njoftimi i plotë: Kryeministri i vendit, Albin Kurti e ka vizituar sot ekipin Kombëtar të Kosovës në hotel “Emerald”. Kryeministri Kurti përveç një bashkëbisedimi të këndshëm me futbollistët dardanë, ka zhvilluar takim edhe me presidentin Agim Ademi, e ku ishin të pranishëm edhe përzgjedhësi Bernard Challandes, nënkryetari Bakir Burri, drejtori i Kombëtares, Muharrem Sahiti dhe kryetari i tifogrupit “Dardanët”, Lulzim Berisha. Gjatë kësaj vizite kryeministri Kurti përgëzoi djemtë dardanë për paraqitjet e tyre mbresëlënëse dhe i uroi për një cikël të suksesshëm në kualifikimet për Botërorin “Katar 2022”. Kurti theksoi se futbolli në Kosovë gjithmonë ka qenë sport i dashur, derisa tani sukseset e djemve dardanë po e bëjnë krenar të gjithë popullin. Ai u shpreh i lumtur që në kampin e Dardanëve ekziston një atmosferë shumë e mirë dhe harmoni ndërmjet lojtarëve, pasi kjo është garancë për suksese të reja. Në anën tjetër, presidenti Agim Ademi duke e uruar kryeministrin Kurti për detyrën e marrë, e falënderoi atë për vizitën dhe mbështetjen ndaj ekipit Kombëtar dhe i dhuroi një fanellë të ekipit kombëtar. Ndërkaq, në emër të futbollistëve kryeministrin Kurti e përshëndeti kapiteni Samir Ujkani, i cili falënderoi institucionet dhe tërë popullin për përkrahjen e madhe që i japin ekipit kombëtar, duke u zotuar se do të japin edhe më tutje maksimumin në fanellën e shenjtë dardane.
Lajmi: Kryeministri Kurti vizitoi Kombëtaren e Kosovës, presidenti Ademi ia dhuron fanellën dardane