Anulohen të gjitha votat për partitë boshnjake në komunat serbe
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar pjesërisht ankesat e paraqitura nga subjektet politike Nasha Iniciativa, Unioni Social Demokrat dhe Nova Demokrastska Stranka lidhur me rezultatet përfundimtare të shpallura nga KQZ për zgjedhjet e 14 shkurtit.
PZAP ka marrë vendim që të anulohen në tërësi votat për subjektet politike boshnjake në këto komuna: Zubin Potok, Shtërpcë, Ranillug, Garaqanicë, Partesh, Kollokot dhe Novobërdë.
Po ashtu PZAP ka anuluar pjesërisht votat për subjektet politike Ujedinjena Zajednica Adrijana Hodzic dhe Koalicionit VAKAT.
Për subjektin politik Ujedinjena Zajednica Adrijana Hodzic i janë anuluar votat në Zveçan, Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut.
Për koalicionin VAKAT janë anuluar votat në Leposaviq.
Njoftim i plotë:
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), në seancat e mbajtura me datat 5, 6, 7 dhe 8 mars 2021, brenda afatit ligjor prej 72 orëve ka vendosur lidhur me 210 apelet e paraqitura nga kandidatet për deputet të subjekteve politike, kundër Vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.
Paneli lidhur me apelet e paraqitura ka vendosur si në vijim:
Pranohen pjesërisht të bazuara 5 apele:
PRANOHEN pjesërisht të bazuara apelet Anr.656/2021. A.nr.733/2021 dhe A.nr.735/2021 të paraqitura nga subjektet politike Nasha Iniciativa, Unioni Social Demokrat dhe Nova Demokratska Stranka të datës 05.03.2021 kundër vendimit të KQZ-së nr.860-2021 të datës 04.03.2021, për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbajtur me 14 Shkurt 2021.
PRANOHEN pjesërisht te bazuara apelet Anr.736/2021 i datës 05.03.2021, e paraqitura nga subjektet politike Partia Liberale Egjiptiane (PLE), me seli në Pejë, Partia e Ashkalive për Integrim (PAI) me seli në Lipjan, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK) me seli në Prizren, Partia Demokratike e Ashkalive të Kosovës (PDAK) me seli në Ferizaj dhe apeli Anr.769/2021 i datës 05.03.2021, i paraqitur nga Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës (LPRK), anulohen fletëvotimet që i përkasin subjektit politik Romani Iniciativa
Apeli Anr.581-2021, i paraqitur nga Florentina Gjergjaj kandidate për deputete e AAK, është pranuar dhe është urdhëruar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), që të rinumëron fletëvotimet me kusht në të gjitha Komunat e Kosovës dhe të gjitha fletëvotimet nga diaspora, vetëm sa i përket kandidateve nga radhët e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Paneli ka aprovuar të bazuara 16 apele,
Paneli ka aprovuar pjesërisht të bazuara 9 apele,
Paneli ka refuzuar të pabazuara 177 apele.
Ka hedhur te parregullta 2 apele dhe
Ka hedhur te pasafatshme 1 apel.
Vendimet lidhur me apelet e paraqitura kundër rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve janë të publikuara në faqen zyrtare të PZAP nga numri Anr. 564/2021 deri në numrin Anr. 773/2021 dhe të gjitha janë të qasshme për publikun.
Kandidatët të cilët kanë apeluar vendimin e KQZ-së për shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve në PZAP do të njoftohen me kohë me vendimet lidhur me apelet e parashtruara dhe kundër këtyre vendimeve palët e pakënaqura mund të paraqesin ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës brenda afatit ligjor prej 24 orëve nga momenti i pranimit të vendimit, ndërsa Gjykata Supreme e Kosovës ka për obligim që të marrë vendime lidhur më ankesat brenda afatit ligjor prej 72 orëve nga momenti i paraqitjes së tyre.
Vendimet e Gjykatës Supreme të Kosovës janë përfundimtare