Maqedoni

Arrestohet nëna e fëmijës që humbi jetën nga zjarri sot në Gostivar

Shpërndaje

Është arrestuar mbrëmjen e sotme nëna e 7-vjeçarit që humbi jetën nga zjarri mëngjesin e sotëm në Gostivar. Lajmin e ka bërë të ditur Sektori i Punëve të Brendshme i Tetovës. Në njoftimin e SPB-së thuhet se nëna e vogëlushit 7-vjeçar, me inicialet S.T nga Resnja, pasi i është ofruar ndihma e parë mjekësore në spitalin e Gostivarit, është dërguar në stacionin policor të qytetit, nën dyshimin se ka kryer vepër penale që ka të bëjë me vdekjen e fëmijës së saj. Në stacioni policor, e lartpërmendura do të qëndroj deri nesër dhe më pas do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake për t’i dhënë masën e duhur. Sipas hetimeve të para të Prokurorisë së Gostivarit fëmija 7-vjeçar nuk ka mundur t’i mbijetojë flakëve pasi në momentin e shpërthimit të zjarrit ka qenë i lidhur me zinxhir në këmbë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën e Vardarit në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa të parët tymin e kanë parë kalimtarët e rastit të cilët kanë njoftuar zjarrfikësit. Sipas të dhënave të Sektorit të Punëve të Brendshme, në banesën që është përfshirë nga flakët, kanë jetuar gjashtë anëtarë, por në momentin e shpërthimit të zjarrit, brenda kanë qenë vetëm fëmija dhe nëna e tij.