Basha takohet me Kurtin: Nesër si kryeministër, gjithçka për të rritur e forcuar bashkëpunimin me Kosovën
Pas takimit me presidentin e Republikës Ilir Meta, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje është pritur edhe nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Përmes një postimi në Facebook, kreu i demokratëve shprehet se gjatë takimit, uroi Kurtin për fiton në zgjedhjet e 14 shkurtit duke i cilësuar këto të fundit si shembll për Shqipërinë dhe gjithë rajonin.
Sipas Bashës, pas fitores në 25 prill do të angazhohet për forcim dhe rritje të bashkëpunimit me Kosovën në të gjitha fushat, përcjell Ora News.
Lulzim Basha: Prita sot me kënaqësi liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministrin në ardhje të Kosovës Albin Kurti. E urova për fitoren e zgjedhjeve parlamentare dhe modelin që Kosova i dha Shqipërisë dhe gjithë rajonit për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve edhe pse në kushte pandemie.
Biseduam për sfidat që ka përpara Shqipëria dhe Kosova. Nënvizova gjatë takimit me zotin Kurti nevojën jetike që ka Shqipëria për ndryshim në zgjedhjet e 25 prillit dhe e garantova se nesër si kryeministër i Shqipërisë do të bëj gjithçka për të rritur dhe forcuar bashkëpunimin me Kosovën në funksion të zhvillimit ekonomik, punësimit, njohjes së saj nga vende që ende se kanë bërë si dhe anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare.