Besimi: Deri më tani, të hyrat buxhetore më të larta se niveli para krizës
Arkëtimi i të hyrave në buxhet nga fillimi i vitit është më i mirë krahasuar me periudhën e para krizës së vitit të kaluar. Ministri i Financave Fatmir Besimi i ftuar në emisionin “Dnevnik” në TV Sitel, theksoi se arkëtimi i të hyrave buxhetore nga fillimi i vitit përfshirë mesin e muajit mars është më i lartë për 3.1% krahasuar me periudhën e njejtë të vitit të kaluar, ndërsa arkëtimi i të hyrave tatimore është më i lartë për 4.2%.
Buxheti është në kondicion të mirë, detyrimet kryhen në mënyrë të rregullt dhe në kohë. Ka rritje tek të hyrat e përgjithshme prej 3.1%, tek tatimet prej 4.2% – me rritje në arkëtimin e TVSH-së dhe tatimin mbi fitimin, ka rritje në vijim tek kontributet me 3.7%. Duhet të theksojmë se krahasimi është me periudhë kur efektet e krizës së kovidit ende nuk ndjehen. Trendi është në drejtim të projeksioneve tona – tha Besimi.
Ministri thekson se edhe pse ka ende rreziqe sa i përket zgjatjes së krizës shëndetësore, arritjet që nga fillimi i vitit tregojnë se do të realizohet skenari bazë për rritjen e ekonomsë prej 4.1% në 2021. Nëse kriza zgjatet dhe skenari pesimist realizohet, rritja do të ngadalësohet, por përsëri do të mbetet në zonën pozitive.
Në lidhje me ribalancin e buxhetit, ministri theksoi se që kur u miratua buxheti për këtë vit ishte paralajmëruar ribalanc kah mesi i vitit, që si zakonisht është praktikë edhe në vitet kur nuk ka krizë në drejtim të optimizimit të të hyrave dhe shpenzimeve sipas nevojave reale.