Besimi: Ministria e Financave do të themelojë Akademinë e financave publike
Në kuadër të Ministrisë së Financave do të themelohet Akademia e financave publike. Kjo u bë e ditur në ngjarjen e sotme me rastin e promovimit të tuining projektit “Përforcimi i funksioneve të planifikimit buxhetor, realizimit dhe kontrollit të brendshëm” financuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa me mbështetje të ministrive të Financave të Mbretërisë së Holandës, Bullgarisë, Kroacisë dhe Letuanisë.
Projekti, siç informoi ministri i Financave Fatmir Besimi ka për qëllim të përforcojë menaxhimin e financave publike dhe orientohet drejt rritjes së transparencës buxhetore, përforcimit të sistemit të kontrollit financiar të brendshëm në sektorin publik, përmirësimin e efikasitetit të sistemit lidhur me furnizimet publike dhe përmirësimin e sistemit për mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.
“Kësaj here, në procesin e zbatimit të reformave në menaxhimin e financave publike, duke i ndjekur praktikat më të mira evropiane, do të hapërojmë në një shkallë më të lartë përmes themelimit të Akademisë së financave publike në kuadër të Ministrisë së Financave. Përmes kësaj Akademie, do të sigurohet edukim i pandërprerë i nëpunësve shtetërorë nga sfera e menaxhimit të financave publike me qëllim të krijimit të administratës moderne dhe profesionale për sigurimin e shërbimeve cilësore dhe të shpejta për qytetarët dhe subjektet afariste”, theksoi Besimi.
Sipas euroambasadorit Dejvid Gir, sistemi efikas dhe transparent për financa publike është parakusht për rritje ekonomike në çdo vend. Me këtë sistem, zvogëlohen rreziqet nga mashtrimi dhe korrupsioni si dhe kthehet besimi i opinionit që paratë publike të shpenzohen në interes të qytetarëve.
-Prandaj reformat në sektorin publik janë shtyllë kyqe në procesin e aderimit në BE. Kapitulli 32 për kontroll financiar bashkë me kapitullin për drejtësi si dhe kapitullin për punë të brendshme, zakonisht janë ndër të parët kapituj që hapen gjatë negociatave për anëtarësim në BE. Reformimi i menaxhimit të financave publike është proces plot sfida që kërkon angazhime të vazhdueshme politike, marrjen e vendimeve të vështira dhe koordinim të fuqishëm ndërmjet institucioneve kyqe nga sektori, duke përfshirë edhe institucionet financiare ndërkombëtare dhe sektorin civil, porositi euroambasadori gjatë prezantimit të sotëm të rezultateve që dalin nga përkrahja e ofruar nga BE-ja.
Trajnimet e vazhdueshme të personelit të shfrytëzuesve buxhetor në nivel qendror dhe lokal dhe Akademia e re e financave publike, sipas euroambasadorit Gir, do të kontribuojnë në ndërtimin e sistemit transparent të furnizimeve publike por nevojiten edhe përpjekje të mëtejshme që të ndërtohet transparenca fiskale dhe besimi publik në institucione.
Ambasadori holandez, Dirk Jan Kop theksoi se sistemet e shëndosha për menaxhimin e finanncave publike janë pjesë përbërëse për menaxhim të mirë dhe vegël themelore në luftën kundër korrupsionit.
-Holanda angazhohet për stabilitet dhe prosperitet në Ballkan. Prandaj e duam Maqedoninë e Veriut si partner të barabartë, të besueshëm dhe të sigurtë në NATO dhe Bashkimin Evropian. Vështirësia gjatë ndryshimit të mentalitetit dhe zbatimi i vështirë i reformave kërkojnë përkushtim të fuqishëm politik dhe lider të orientuar pro reformave. Holanda dhe Maqedonia e Veriut kanë partneritet disavjeçar. Ngjarja e sotme dëshmon se vazhdojmë t’i kushtojmë rëndësi përpjekjeve për përmirësimin e disiplinës fiskale dhe shërbimeve publike më efikase. Ky projekt do të gjenerojë përfitime të shumta dhe afatgjate për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut tha ambasadari holandez Jan Kop.