Flet Anton Quni, thotë se u largua nga gara për t’i hapur rrugën frymës së re e ndryshimit që përfaqësonte Lumir Abdixhiku
Anëtari dhe ish-kandidati për kryetar të LDK-së, Anton Quni thotë se Kuvendi i kësaj partie tregoi maturi e nivel të lartë të përgjegjësisë.
Quni tregon se ka përkrahur Lumir Abdixhikun për kryetar pas tërheqjes.
“Me Ty Lumir, bashkë, këtë kauzë do t’a jetësojmë, sepse literalisht, s’ka asnjë alternativë tjetër”, shkruan ai ndër të tjera.
Postimi i tij i plotë:
Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm, e sidomos Ju mbështetës të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Sot, në Kuvendin Zgjedhor, ashtu siç ka reflektuar çdo herë, Lidhja Demokratike tregoi maturinë dhe nivelin më të lartë të përgjegjësisë, për të qenë të unifikuar për t’i dhënë përkrahjen një Kryetari të ri, që reflekton si një Rilindje, për frymën e re drejt rrugëtimit që sot fillon “Lidhja jonë e Re”.
Sot, nuk ishte e lehtë të merrja një vendim për t’u tërhequr nga gara, por përgjegjësia për t’i hapur rrugën frymës së re dhe ndryshimit pozitiv, që më së miri do t’i përfaqësonte Lumiri, mendova se ishte vendimi i duhur.
Prandaj, të dashur mbështetës dhe anëtarë, Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij ndryshimi!
Sot, “Lidhja” dëshmoi edhe njëherë që aspirata e papërmbushur në dukje, për demokracinë, na bashkoi në një proces zgjedhor kredibil, për të reflektuar mbi shembullin më të lartë dhe fisnik, që tejkalon interesat individuale të secilit, në kërkim të kohërave më të mira dhe reflektim për nivelin më të lartë të kulturës demokratike.
Nga sot, fillon një etapë e re e demokracisë së brendshme dhe një reformë substanciale, siç din “Lidhja” jonë, si një parti tradicionale që i ka ndriçuar çdo herë rrugën e ndryshimit, çdo procesi demokratik të vendit tonë.
I dashur miku im Lumir,
Do të jem perkrah në secilën ditë, në secilin moment, për të materializuar një proces të mirëfilltë evoluimi, për të jetësuar frymën imponuese dhe të pa-kompromis, të një ndryshimi thelbesor pozitiv; të promovimit të vlerave më të larta, të integritetit, profesionalizmit, meritokracisë dhe gjithëpërfshirjes.
Bashkë, do të rikthejmë dinjitetin e humbur të “Lidhjes” sonë, për të nxitur aktivistët , për të rikthyer anëtarët në shtëpinë e vjetër të tyre dhe për t’i hapur rrugën anëtarëve të rinj me kompetencë dhe integritet profesional, për t’i dhënë mundësitë meritore grave dhe rinisë; sepse kjo ishte fryma Rugoviane, sepse të tillë e deshi “Lidhjen” tonë, Presidenti Rugova.
Me Ty Lumir, bashkë, këtë kauzë do t’a jetësojmë, sepse literalisht, s’ka asnjë alternativë tjetër.
Të dashur mbështetës dhe anëtarë,
Sot, anëtarësia e LDK-së, unike si asnjëherë më parë, vulosën me votën e tyre të lirë, një ndryshim, në një momentum historikisht të domosdoshëm për të ardhmen e saj. Ne besojmë fuqishëm se zanafilla e kësaj përpjekjeje fillon dhe mbaron këtu, në “Lidhjen” tonë për të nxitur çdo diskutim, për të replikuar e për të marrë vendime, për të dialoguar e për të arritur konsensuse, sa herë që na kërkohet që të vet-reflektojmë, të vet-përmirësohemi; e posaçërisht, për të shprehur maturinë tonë sa herë që na thërret atdheu, për t’i dhënë krahë mbështetjes së proceseve shtetërore dhe forcimit të subjektivitetit të shtetit tonë.
Ndërkaq, si parti opozitare, e kam bërë të ditur faktin se do t’i japim kuptim demokracisë parlamentare, duke e dhënë shembullin më të shkëlqyeshëm të një partie opozitare dhe të mirëfilltë demokratike; duke respektuar me përkushtimin më të lartë paprekshmërinë dhe pavarësinë e funksionimit të institucioneve të shtetit dhe respektimin e Kushtetutës. Por që, nga partitë në pushtet, do të ngrisim në nivelin më të lartë llogaridhënien dhe përgjegjësinë për secilën punë publike; ndërkaq konsensusin e përjashton vetëm një pikë: “qeverisja kundër vlerave demokratike”.
Në fund,
Me përuljen më të lartë për të gjithë anëtarët që votuan sot dhe të gjithë mbështetësit, që ndryshimit pozitiv dhe frymës së re Rugoviane i dhanë privilegjin e jashtëzakonshëm, për t’i dhënë fuqi udhëheqjes së re në krye me Kryetarin e ri, Kryetarin tonë, Lumirin!
Por që dua të nënvizoj, se ky besim është përgjegjësia më e lartë në gjithë historikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, sepse jemi të vetëdijshëm se ndryshimi dhe rikthimi nuk janë rruga më e lehtë. Por që nga sot, puna dhe përkushtimi për “Lidhjen” do të projektohen në programin e ndryshimit dhe me pasionin emblematik nuk do të ndalemi, derisa të arrijmë të përmbushim ëndrrën Rugoviane!
Do të jemi së bashku pjesë e ndryshimit pozitiv në rrugëtimin tonë të ri të “Lidhjes” sonë!
Përgjithmonë i Juaji,
Antoni