MaqedoniTop Lajme

Janë regjistruar rreth 50 mijë mërgimtarë, kërkohet shtyrje e Regjistrimit

Shpërndaje

Nëpërmjet ueb faqes për regjistrim, deri në orën 8 të mëngjesit të sotëm janë regjistruar 49.837 mërgimtarë, ka njoftuar Enti Shtetëror i Statistikave.

Nga ESHS-ja kanë sqaruar, se gjatë paraqitjes në aplikacion, shfrytëzuesi regjistrohet dhe e fut numrin amë, email adresën, e cila më pas verifikohet me mesazh në e-mail dhe numrin e telefonit të shfrytëzuesit. Gjatë regjistrimit të shfrytëzuesit dhe pas çdo futjes së të dhënave nga ana e shfrytëzuesve, në aplikacion në mënyrë automatike regjistrohet se nga cila adresë IP janë futur të dhënat, transmeton TV21.

Regjistrimi i mërgimtarëve ka filluar nga 1 marsi dhe pritet të përfundojë deri më 21 prill. Ndërkaq, ajo realizohet nëpërmjet ueb faqes “Census.stat.gov.mk” dhe me adresë IP vetëm në shtetet e jashtë Maqedonisë së Veriut.

Regjistrimi në vend do të fillojë nga 1 prilli, megjithatë vazhdimisht ka thirrje nga opozita maqedonase për anulim të këtij procesi, nën arsyetimin e pandemisë së Covid-19.

Dje letër u ka dërguar ndërkombëtarëve edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ndërkaq për shtyrjen e regjistrimit nën arsyetimin e pandemisë është deklaruar edhe presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski në ClickPlus.

“Sido që të jetë, nëse dikush të regjistron në shtëpi sërish është klaster. Prandaj kam thënë, ja ta shtyjmë për një muaj”, tha Pendarovski.

Ndërkaq, drejtori i ESHS-së, Apostoll Simovski deklaroi se shtyrje të Regjistrimit mund të ketë vetëm nëse atë e kërkon Komisioni për sëmundje ngjitëse./TV21