Këshilli Koordinues i Diasporës, apel mërgatës nga Maqedonia e Veriut
Të nderuar pjesëtarë të diasporës sonë nga Maqedonia e Veriut, ne si Këshill Koordinues i Diasporës (KKD), Ju bëjmë thirrje të gjithë Juve në çdo vend të botës, kudo që ndodheni.
Bëhuni pjesë e regjistrimit të popullatës në Maqedoninë e Veriut. Regjistrimi i popullatës në këtë vend tashmë ka hyrë në fazën thelbësore kur pa përjashtim të gjithë Ju duhet të bëheni pjesë e këtij procesi që përfundon më 21 prill.
Me aktin tuaj të regjistrimit, përmes një angazhimi fare të vogël, Ju ia bëni shërbimin më të madh vendit tuaj. Rezultatet e regjistrimit, pra dalja në shesh e numrit të saktë e të vërtetë të shqiptarëve në këtë vend paraqet interes madhor, paraqet interes kombëtar, paraqet bazën juridiko-kushtetuese për gjithçka që ju takon si popullatë etnike në këtë vend.
Andaj të dashur bashkatdhetarë, ne si KKD i bëjmë thirrje gjithsecilit prej jush, REGJISTROHU!
➢ Është koha dhe momenti historik kur Ju duhet ta jepni kontributin tuaj për familjen e për vatrat tuaja stërgjyshore!
➢ Është koha dhe momenti historik kur në procesin e regjistrimit askush nuk duhet të mungojë!
➢ Është koha dhe momenti historik kur gjithkujt duhet t’i tregohet se shqiptarët etnik në Maqedoninë e Veriut dinë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre!
Ky është linku i aplikacionit ku duhet të regjistroheni vetë duke e plotësuar online formularin:
Kini kujdes, numri amëz apo numri personal është thelbësor, – atë e gjeni te pasaporta juaj, te letër-njoftimi apo te çertifikata e lindjes!
Regjistrohuni sa më parë, si dhe njoftoni të afërmit dhe miqtë tuaj të cilët mbase mund të jenë të painformuar!