RajoniTop Lajme

Kosovë, kryeministri Kurti pranon letër urimi nga presidenti i Turqisë Erdoğan

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e marrjes së detyrës së tij ka pranuar letër urimi nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka bërë publike letrat uruese të përfaqësuesve të vendeve të ndryshme të botës me rastin e emërimit të kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurtit, më 22 mars në Kuvendin e Kosovës.

Presidenti Erdoğan në letrën e tij, e ka uruar Kurtin në emrin e tij dhe të popullit turk në “përpjekjet drejt mirëqenies dhe lumturisë së popullit vëlla të Kosovës”.

Presidenti turk, shkroi se përfshirja e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) në qeverinë e re, e cila fitoi dy deputetë nga komuniteti turk i Kosovës, është tregues se qeveria e udhëhequr nga Kurti “do t’i kushtojë vëmendje prioriteteve dhe pritjeve të komunitetit turk”.

“Unë sinqerisht besoj se miqësia tradicionale dhe e rrënjosur thellë midis vendeve tona do të zhvillohet edhe më tej gjatë mandatit të Shkëlqesisë Tuaj”, shkroi presidenti, duke theksuar se Turqia, si gjithmonë edhe në periudhën e ardhshme “do të jetë në solidaritet në çdo fushë me popullin vëlla të Kosovës”.

Tutje, presidenti Erdoğan në letrën dërguar Kurtit, ka përmendur edhe çështjen e vendosjes së Ambasadës së Kosovës në Izrael.

Sipas tij, do të ishte e dobishme për qeverinë e re kosovare që “ta rishikonte këtë çështje”.

“Nga ana tjetër, pasi që e di se edhe ju keni gjithashtu shqetësime në lidhje me çështjen e Ambasadës së Kosovës, hapja e së cilës është njoftuar se është bërë në Kuds, mendoj se do të ishte e dobishme për qeverinë tuaj ta rishikonte këtë çështje brenda kornizës së rezolutave përkatëse të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe të drejtës ndërkombëtare”, shkroi Erdoğan.

Kosova zyrtarisht hapi Ambasadën e saj në Kuds më 14 mars, për të cilën Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës kishte njoftuar se është përmbushur zotimi i dhënë më 1 shkurt, kur Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike.

Vendosja e Ambasadës së Kosovës në Kuds ngjalli reagime të ndryshme nga krerë të institucioneve të Bashkimit Evropian (BE), Turqia dhe Liga Arabe të cilët e konsideruan këtë hap si jo të duhur.

Me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, nga gjithsej 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës gjithsej, Albin Kurti zyrtarisht mori drejtimin e qeverisë së re më 22 mars, ditën kur po ashtu u konstituua Kuvendi.