KSHZ e gatshme për organizimin e zgjedhjeve me model të ri
Partitë politike kanë formuar grupe të punës për ndryshimin e modelit zgjedhor, por publiku një kohë të gjatë nuk është njoftuar për ndonjë marrëveshje. Së fundmi nismë në Kuvend për ndryshim të modelit zgjedhor, nga gjashtë me një njësi zgjedhore propozuan deputetët e partive më të vogla.
Por ky propozim ligj ende nuk është shqyrtuar. Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashkovski thotë ky organ mund ti realizojë zgjedhjet me çfarë do modeli.
“Mendoj se për atë duhet të bëhet paraprakisht studim i mirë i cili do të përpunohet dhe do të garantojë rezultate të mira. Në më shumë shtete ka modele të tilla, duhet të merren parasysh, të krahasohen, cili është më funksional, cili jep rezultate më të mira e të vendosen në letër, që të shihet se cili model më tepër i përgjigjet kushteve të cilat për momentin i ka Maqedonia”, tha, Aleksandar Dashtevski, KSHZ.
Vendet e rajonit kanë modele të ndryshme zgjedhore. Kosova ka sistemin proporcional me lista të hapura. Analisti nga Kosova, Blerim Burjani, vlerëson se sistemi i Kosovës është i përshtatshëm për Maqedoninë e Veriut, pasi është gjithëpërfshirës dhe mbron votën e çdo qytetari.
“Për Maqedoninë është shumë pozitive për shkak të gjendjes qysh është mes etnive të ndryshme, ky sistem mundem me qenë shumë profitabil për shqiptarët, pasi gjitha votat. Në të gjitha qendrat e votimit ato vota nuk do të humben por do u takojnë partive politike të cilat janë votuar nga qytetarët”, tha Blerim Burjani, Analist – Kosovë.
Ndërsa Shqipëria ka model zgjedhor proporcional, i cili është ndarë në 12 njësi zgjedhore, sipas qarqeve administrative. Numri i mandateve të deputetëve që çdo qark dërgon në Parlamentin me 140 deputetë, varet nga numri i votuesve. Kryetari i Komisionit Qendror zë Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi vlerëson se vendet e rajonit është mirë të krijojnë sisteme zgjedhore më të qarta për qytetarët.
“Është mirë që, qoftë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnja e Hercegovina, Serbia, të cilat pakë a shumë kanë ngjashmëri në mënyrën se si bëjnë politikë këto vende, është mirë që ne adoptojmë sisteme zgjedhore të cilat janë të qarta, të thjeshta më së pari për qytetarët, të kuptueshme. Dhe së dyti të sigurojmë një stabilitet politik të qeverisjes në këto vende”, pohoi Ilirjan Celibashi, kryetrar i KQZ Shqipëri.
Partitë politike në vendin tonë kanë qëndrime të ndryshme rreth modeleve zgjedhore. LSDM deklarohet se është për një njësi zgjedhore. Nga VMRO-DPMNE thonë se me këtë model humbin partitë e mëdha, ndërsa partitë shqiptare angazhohen për modelin me tre njësi zgjedhore.