Rajoni

Kurti në Prekaz: Drejtësia për krimet e Serbisë nuk është vënë në vend

Shpërndaje

Në ditën e parë të punës si kryeministër i Kosovës, Albin Kurti bashkë me kabinetin qeveritar kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Pas homazheve, Kurti u shpreh se bashkë me ministrat bënë homazhe tek vendi i flijimit e bashkimit.

Kryeministri Kurti para mediave tha se tre breza të familjes Jashari u vr*anë nga forcat serbe, e që rënia heroike e tyre ngriti në këmbë popullin shqiptar dhe i dha hov Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare.

Kurti tha se gjaku i të rënëve nuk humbet kurrë dhe se në Prekaz shkojnë për të kuptuar nga vijnë dhe për të ditur edhe më mirë se nga të shkojnë.

“Dje pranuam detyrën si qeveri e re e cila u votua në Kuvendin e Republikës së Kosovës të hënë mbrëma pasi që doli nga zgjedhjet e 14 shkurtit dhe sot në ditën e parë të punës me zëvendëskryeministrat, ministrat erdhëm herët në mëngjes në Prekaz në këtë vend të flijimit e bashkimit ku tre breza të familjes Jashari u vr*anë nga forcat serbe mirëpo rënia e tyre heroike e ngriti në këmbë popullin shqiptar i dha hov Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare e cila me 24 mars 1999 dërgoi aleancën më të fuqishme në historinë e njerëzimit kundër një shteti gjen*ocidal siç ishte Serbia e Millosheviçit”, tha ai.

Nuk është vënë në vend drejtësia për krimet e kryera nga Serbia, kështu tha Kurti derisa theksoi se gjaku e emri i tyre nuk harrohet kurrë.

“Ne i kujtojmë me shumë dhimbje e mall, Shaban, Hamëz e Adem Jasharin dhe gjithë 59 anëtarët e kësaj familje gjysma e të cilëve ishin gra dhe fëmijë. Drejtësia për këtë krim të Serbisë nuk është vënë në vend ashtu sikurse edhe për shumë dëshmorë e martirë të tjerë ane mbanë Kosovës. Gjaku i tyre nuk humbet kurrë, emri i tyre nuk harrohet kurrë dhe ne kthemi e rikthehemi këtu në Prekaz për ta kuptuar se nga vijmë dhe për ta ditur më mirë se kah duhet të shkojmë. Lavdi Jasharave dhe gjithë dëshmorëve e martirëve”, u shpreh Kurti./RTK

Lajmi nga Kryeministria: Kryeministri Kurti bëri homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz