LAJMI I FUNDIT: Mblidhet Vetëvendosje, diskutohet edhe për seancën e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit
Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje pritet të mblidhet sot nga ora 14:00, shkruan Gazeta Blic.
Siç merret vesh, në këtë takim pos që do të diskutohet për ndarjen e komisioneve parlamentare, pritet të diskutohet edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri, gjegjësisht të thirrjes së seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të ri.
“Nga ora 14:00 pritet të mblidhet Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ku ndër të tjera, do të flitet edhe zgjedhja e Vjosa Osmanit presidente, gjegjësisht thirrja e seancës së jashtëzakonshme”, tha ky burim i Gazeta Blic.
Në anën tjetër, sipas procedurave kushtetuese deri më 5 prill duhet të nisin procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri, në të kundërtën vendi do të shkoj në zgjedhje të reja parlamentare.
Aktualisht, sipas disa kalkulimeve 67 vota janë për, derisa llogaritet që edhe nga LDK të jenë 11 vota të sigurta që do të qëndrojnë në ditën kur pritet të votohet Vjosa Osmani për presidente, që në total janë gjithsejtë 78 vota, por që janë të pamjaftueshme.
Sipas rregullave kushtetuese, një president nuk mund të zgjedhet pa qenë në seancë të paktën 80 deputetë.
Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli ende nuk ka vendosur nëse do të qëndroj në sallë, derisa dy deputetët nga minoritetet Adem Hoxha dhe Fadil Gashi, kanë kushtet e tyre për ta votuar Vjosa Osmanin për presidente të Kosovës.
Burime të GazetaBlic, kanë bërë të ditur se këta dy deputetë po kërkojnë dy zëvendësministra në qeverinë Kurti ll.
“Adem Hoxha dhe Fadil Gashi kanë kushtet e tyre për t’ia bërë kuorumin Vjosa Osmanit për presidente. Të këta deputetë kërkojnë nga një zëvendësministër ta kenë”, tha ky burim i Gazeta Blic.
Ndërkohë, redaksia e ka provuar që ta kontaktoj Adem Hoxhaj, por telefoni i tij ka qenë i paqasshëm.
Në anën tjetër, LDK dje ka vendosur që të qëndroj në seancë, ditën kur pritet të votohet Vjosa Osmani për presidente të vendit. Megjithatë, janë tre deputetë nga kjo parti: Agim Veliu, Driton Selmanaj e Avdullah Hoti që nuk do të marrin pjesë në seancë, duke ia vështirësuar Vjosa Osmanit zgjedhjen në krye të shtetit.