Media zvicerane shkruan për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës nga Behgjet Pacolli, tregojnë sa kushton projekti
Disa kompani të themeluara në Zvicër, ku pjesa më e madhe e aksioneve zotërohet nga kompania e biznesmenit Behgjet Pacolli, janë përzgjedhur për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.
Kompania e ndërtimit Ticino Mabco Constructions e cila është e vendosur në Lugano të Zvicrës ka siguruar 104 milionë dollarë për ndërtimin e projektit, shkruan Blick, përcjell Telegrafi.
Pas kompanisë Ticino është kosovari më i pasur. Mabco Constructions është pjesë e Mabetex Group dhe drejtohet nga politikani dhe biznesmeni Behgjet Pacolli.
Ai gjithashtu ka shtetësi zvicerane dhe vlerësohet se ka një pasuri prej më shumë se 900 milionë dollarë, të cilat i ka bërë përmes projekteve të shumta të ndërtimit në Kazakistan dhe Rusi.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do të operojë edhe për aeroplanët e mallrave duke kryer funksionin e kargos. Gara për ndërtimin e tij u hap fillimisht në muajin dhjetor të 2019-së, por u shty për shkak të situatës që krijoi në fushën e aviacionit pandemia e COVID-19.
Qeveria e Shqipërisë e rihapi konkursin në fund të muajit nëntor 2020, e nëse kontrata finalizohet, ndërtimi i tij përfundon pas dy viteve.
Vendndodhja e Aeroportit është në zonën e Akërnisë, 10 minuta larg aksit kombëtar Levan -Vlorë.