Mërgim Lushtaku kërkon që PDK-ja të propozojë Murat Jasharin për President
Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka mohuar se në Këshillin Drejtues të partisë ka kërkuar që të qëndrohet në sallën e Kuvendit kur të votohet Vjosa Osmani për presidente. Lushtaku i tha Gazetës Express se ka kërkuar që në seancën e zgjedhjes së presidentit të propozohet një kandidat unifikues siç është Murat Jashari dhe se kurrë s’ka thënë se duhet të votohet Vjosa Osmani.
PDK-ja ka mbajtur mbledhjen e Këshillit Drejtues të partisë më 18 mars, ku është marrë vendim që 19 deputetët e saj nuk do të votojnë për Vjosa Osmanin presidente.
Megjithatë u raportua se në këtë mbledhje, deputeti nga Drenica, Mërgim Lushtaku ka propozuar që PDK-ja të qëndrojë në sallë ditën e zgjedhjes së presidentit, të cilat i ka mohuar vet Lushtaku.
“Në këshillin drejtues kemi pasur një diskutim të brendshëm, çka është e vërteta është se unë kam thënë që duhet të dalim me një propozim me një kandidat unifikues siç është psh Murat Jashari ose me ndonjë profesor universitar pra me propozu një kandidaturë unifikuese dhe kurrë s’kam thënë që duhet ta votojmë Vjosa Osmanin ajo nuk është e vërtetë.Kam thënë se duhet të propozohet një kandidat unifikues të gjithë spektrit politik që i duhet Kosovës në këto rrethana politike që janë krijuar që me i tejkalu inatet partiake”, tha Lushtaku.
Lushtaku tutje tha se dyshja fituese e zgjedhjeve, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani nëse vazhdojnë me tendencën e shpërfilljes atëherë gjasat maksimale janë që vendi të shkojë në zgjedhje.
“Ne së pari duhet ta shikojmë se cili është interesi i Kosovës, se a duhet të shkohet në zgjedhje përsëri në këto rrethana, por nëse vazhdon me këtë tendencë, me këtë shpërfillje nuk ka asnjë gjuhë të arsyes që me qëndru dikush në Parlament.Ata nuk po kërkojnë një personalitet unifikues por po e kërkojnë vetëm një person që me ia bërë votat për president atëherë gjasat maksimale që me shku vendi në zgjedhje dhe thjesht do të jetë problem që PDK të qëndrojë në sallë sepse Vjosa Osmani pavarësisht parlamentarizmit të saj nuk ka kriju gjuhë uniteti por gjithmonë gjuhë përçarëse dhe si e tillë nuk ka mundësi të jetë unifikuese si presidente”, tha Lushtaku.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani në zgjedhjet e 14 shkurtit ka garuar në listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje, që ka fituar 50.28 për qind të votave. Osmani, e cila në zgjedhje ka marrë mbi 300 mijë vota, ka garuar si kandidate për presidente.
Që një person të zgjidhet president i Kosovës, sipas kushtetutës, në dy raundet e para të votimit duhet të sigurojë dy të tretat e votave të Kuvendit të Kosovës prej 120 ulësesh. Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.
Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Deri më tani pro votimit të Osmanit janë deklaruar komunitetet joserbe, ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se i takon Lëvizjes Vetëvendosje dhe Vjosa Osmanit që të sigurojnë votat për president.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk voton për zgjedhjen e një presidenti partiak.
Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, më 22 mars është caktuar të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, ku pritet që 120 deputetët e rinj të bëjnë betimin dhe të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët e këtij institucioni.
Konstituimi i kuvendit i hap rrugë formimit të Qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.