“Mos iu flisni njerëzve, sikur ua kemi bërë jetën lule”! Rama ngre zërin para kandidatëve të PS: Mos harroni se nuk jemi aq të mirë!
Teksa dita e zgjedhjeve po afron, kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një aktivitet me kandidatët për deputetë të PS, ku iu dha atyre porositë për fushatën elektorale.
Mes të tjerash, Rama iu drejtua të gjithë kandidatëve me tone të ashpra, duke iu thënë që të mos zbresin në terren e të flasin sikur njerëzve u është dhënë gjithçka presin nga qeveria, se iu është bërë jeta lule.
Sipas kryeministrit, kandidatët e PS duhet të flasin me vetëdije para njerëzve, se edhe pse sipas tij, janë më të mirët, nuk kanë bërë mjaftueshëm.
“Kemi një skuadër që vjen nga të gjitha rrugët e jetës dhe iu flet të gjitha kategorive, moshave, të gjitha zonave, i flet Shqipërisë në qytet, në fshat, i flet atyre që janë më mirë, atyre që ende nuk janë më mirë, i flet të moshuarve e fëmijëve.
E pra, besoj që jemi gati, por deri këtu thjesht jemi bërë gati, tani fillon ndeshja minutë për minutë, sekondë për sekondë. Në këtë ndeshje, ju lutem, ju përgjërohem, mos e harroni se ne vërtet jemi më të mirët, por nuk jemi aq të mirë sa të mos i puthim duart njerëzve, të mos iu kërkojmë ndjesë për sa nuk kemi mundur të bëjmë, sa të mos kemi të gjithë kurajon për t’iu thënë “Po, këtu kemi bërë gabim”. Ne duhet të shkojmë përpara njerëzve dhe duhet të shfrytëzojmë mundësinë e artë që të jep demokracia për t’u rrëfyer për gjithçka nuk ka shkuar mirë. Ne jemi të vetëdijshëm se nuk mjafton sa kemi bërë, nuk mjafton që ne jemi të plotësuar karshi tyre, ne jemi ende në borxh të madh me njerëzit, me ata që na kanë dhënë besimin për mandatin e dytë.
Mos flisni sikur njerëzve u keni çuar gjithçka ata presin, se ua keni bërë jetën lule, por flisni me vetëdije që çka është bërë nuk mjafton dhe për të bërë gjithçka duhet, duhet durim e kohë për të na dhënë mundësinë të realizojmë qëllimet që kemi. Vizioni ynë është i bukur, por është jashtëzakonisht i vështirë për t’u bërë. Ama o bëhet kjo, o politika nuk i duhet dreqit. E nëse ka një forcë që mund ta bëjë, ajo është PS. E nëse ka njerëz që mund ta bëjnë, janë në këtë skuadër. Edhe njëherë, forca, kurajo, vraponi, vraponi, vraponi. Vraponi ju që jeni mbi kufi, se ata që janë te kufiri janë më të njohur dhe do marrin më shumë vota. Ju tjerët rrezikoni të humbisni objektivin për të përfaqësuar njerëzit në parlament. Vraponi ju që jeni nën kufij, sepse ne kemi hapur listat. Për ata që janë nën kufij nuk është e lehtë, por vraponi me vetëdije se çdo votë është për skuadrën dhe nëse fiton skuadra ka fituar një Shqipëri e tërë.
Kjo është strategjia, në Tiranë 12 në sulm, 12 në mesfushë dhe 12 në mbrojtje. Këta të fundit duhet të ruajnë skuadrën nga golat e parregullt, sidomos nga ata të LSI, që është e stërvitur dhe gjithë shpresa i ka te golat e parregullt.
Objektivi bazë është 19, me të gjitha forcat 20. S’po shkoj tek të gjithë me radhë, por po kërkoj që të vraponi për të ardhmen. Për të parë se kush janë ata që i bien borive të vjetra, për të ndaluar autokolonat tona. Kurajo e sukses të gjithëve bashkë”, tha Rama.