Ndërron jetë Noari 4-vjeçar nga Gostivari, nuk e shpëtuan operacionet në Turqi
Operacionet dhe trajtimi në Turqi, duket se nuk i ndihmuan 4-vjeçarit, Noar Osmani nga Gostivari që të luftojë tumorin në veshkë. Ai ka ndërruar jetë në Turqi, ku po vazhdonte kurimin pas operacionit. Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tij.
“Me keqardhje ju njoftojmë se ka ndërruar jetë engjëlli i vogël, Noari. Ju që ndihmuat dhe u lutëtë për shëndetin e tij, Zoti ju begatoftë me mirësi”, thonë familjarët. Noari kishte 3 muaj që po qëndronte në Turqi. Në fillim kreu operacionin për tumorin në veshkë, por meqë kishte pasur komplikimi, iu nënshtrua edhe një operacioni. Qytetarët e Gostivarit dhe humanistë të vendbanime të tjera dhe diaspora u solidarizuan për ti dal në ndihmë familjes për të operuar djalin e tyre, megjithatë pas gjitha përpjekjeve, ai ndërroi jetë.
Telegram Ngushëllimi për lajmin e zi për Gostivarin ka shprehur edhe kreu i komunës Arben Taravari.
“E nderuara familje Osmani, Më pikëlloi shumë lajmi për ndarjen nga jeta e Noarit të vogël. Nuk mund të gjej fjalët për të ju ngushëlluar për humbjen e më të dashurit tuaj dhe tonë, Noarit. Noari ishte një engjëll dhe ashtu do të mbetet pranë krijuesit. Ai tashmë është lartë me begatitë e pafundshme që Zoti ju jep engjujve si Noari. E dashura familje Osmani, pranoni ngushëllimet e mia sepse Noari ishte i të gjithë neve, prandaj kjo është ditë zie për të gjithë Gostivarin. Me pikëllim të thellë”, ka shkruar Arben Taravari.