Nis vaksinimi masiv në Shqipëri, Rama: Imunizimi i gjithë qytetarëve mund të realizohet para pranverës së ardhshme
Kryeministri Edi Rama bashkë me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu kanë inspektuar nisjen e vaksinimit masiv në sheshin “Skënderbej”.
Rama tha se është i bindur se vaksinimi i të gjithë popullatës do të mundësohet pranverën e ardhshme, por edhe theksoi se mund të realizohet më përpara. Kryeministri theksoi se nuk do të kërkohet një pasaportë vaksinimi nga turistët gjatë sezonit në vend.
“Pasi kemi siguruar sasi të konsiderueshme do të vijojmë punën, besoj shumë që ky sezon turistik do të jetë i lehtësuar, mbetemi të bindur që deri në pranverën e ardhshme do të jetë e vaksinuar gjithë popullata, por mund ta bëjmë edhe më parë. Do të jemi me 4 turne, mos u qani hallin atyre që mezi e kanë pritur këtë ditë sepse ndihen shumë të çliruar psikologjikisht. Jeta e tyre është shtrënguar në mënyrë të jashtëzakonshme, çlirimi i tyre është kënaqësia më e madhe qëkur jam marrë me politikë. Nuk do të kërkohet vaksinimi për turistët”, tha Rama.
Dy çadra të mëdha janë ngritur dhe bërë gati gjatë natës, ku secila ka nga 10 pika vaksinimi për qytetarët.
Vaksinimi te sheshi “Skënderbej” ka filluar për moshat mbi 75 vjeç, të cilët janë lajmëruar nga mjeku i familjes.
Në ndihmë të bluzave të bardha janë bashkuar edhe mjekët e Forcave të Armatosura, ndërsa pritet të plotësohet plani ambicioz për të mbyllur vaksinimin në 14 muaj. /TCH/