Opozita shqiptare: Në këto gati 4 vite qytetarët e Çairit nuk panë asnjë projekt investues e kapital në infrastrukturë
Kur kanë mbetur edhe më pak se 7 muaj deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale, jemi këtu për t`ia përkujtuar kryetarit të Komunës, z. Visar Ganiut premtimet e parealizuara nga kontrata e famshme me të cilën ai mori besimin e qytetarëve.
Në këto gati 4 vite qytetarët e Çairit nuk panë asnjë projekt investues e kapital në infrastrukturë, nuk panë asnjë projekt në arsim, kulturë apo në sport.
Jeta e banorëve në Çair fatkeqësisht nuk ndryshoi asgjë në këto 4 vite, përpos që u përkeqësua, iu shtuan katet ndërtesave pa leje, u uzurpuan hapësirat e gjelbra dhe u degradua gjithçka. Kaosit në komunikacion, që premtohej se do t`i gjendet zgjidhje me ndërtimin e 4 garazheve në kate dhe 15 rreth rrotullimeve, fatkeqësisht nuk u bë asgjë as edhe në këtë drejtim. Premtohej madje edhe efikasiteti energjetik në ndërtesa, por edhe kjo mbeti vetëm një ëndërr për banorët e Çairit.
Qytetarëve, e veçanërisht të rinjve u premtohej një jetë më ndryshe me qendra rinore, hapësira rekreative dhe biblioteka, por as kjo nuk u bë, nuk u gjetën arsye as për kategorinë më vitale të shoqërisë të krijohen kushte më të mira.
Jemi këtu gjithashtu edhe për t`i përkujtuar zyrtarët e lartë të BDI-së se kanë dështuar 100 për qind nëpër të gjitha komunat, në katër vitet e kaluara jeta e shqiptarëve fare nuk u përmirësua, përkundrazi u shtua kaosi, varfëria dhe u ashpërsua beteja e tyre për ekzistencë.
Është për keqardhje fakti se Ganiu po e përfundon mandatin e tij të parë e të katërtin të BDl-së, ashtu siç e mori nga paraardhësi i tij, njëherit kryetar i degës dhe nënkryetar i partisë Izet Mexhiti.
Ju faleminderit.
ZUDI ENUZI KOKA
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët – Alternativa