Ora policore – Ministria e Shëndetësisë jep njoftimin
MSH: Ora policore do të vazhdojë të zbatohet, këtë javë do të shqyrtohet gjendja epidemiologjike
Ora policore prej orës 22 deri në orën 5 do të vazhdojë, ndërsa gjatë javës do të shqyrtohet gjendja epidemiologjike dhe do të përcaktohet nëse nevojitet vendosja e masave restriktive shtesë, informojnë për MIA-n nga Ministria e Shëndetësisë.
Vendimi i Qeverisë për vendosjen e orës policore prej orës 22 deri në orën 5 të mëngjesit, ishte vendosur më 10 mars ndërsa skadon nesër.
Qëllimi i vendosjes së orës policore, ishte të kufizohet lëvizja dhe komunikimi i të rinjve të cilët në mënyrë intensive komunikojnë në parqe, sipërfaqe publike madje edhe në shtëpi pas mbylljes së objekteve hotelierike pasi u konstatua se ata janë ndër bartësit kryesorë të virusit.
Komisioni i Sëmundjeve Infektuese dhe ministri Filipçe presin në fillim të kësaj jave rezultate prej orës policore që ishte vendosur para 11 ditësh dhe prej tyre do të varet vlerësimi i ri për vendosjen e masave restriktive të cilat do të thonë rritje e kohëzgjatjes së orës policore dhe shkurtim i punës së objekteve hotelierike.