Osmani në Zvicër: Prioritet i institucioneve do të jetë menaxhimi i pandemisë
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani është duke qëndruar për vizitë në Zvicër. Përmes postimeve në Facebook ajo ka njoftuar për disa takime të mbajtura atje.
Të martën, ajo ka bërë të ditur se atje po qëndron me ftesë të Parlamentit zviceran, derisa është takuar me disa përfaqësues të mërgatës. Pas këtij takimi, ajo është pritur edhe nga kryetarja e parlamentit të Luzernit, Ylfete Fanaj.
“Kënaqësi e jashtëzakonshme takimi me të sot. Shembull i një politikaneje moderne, të zellshme e që me përulje kontribuon në përmirësimin dhe avancimin e politikave në Zvicër për të gjitha komunitetet pa përjashtim”, thuhet në njoftim.
Osmani sot ka mbajtur takim edhe me Ueli Leuenberger nga Partia e Gjelbër në Zvicër, duke shtuar se i njëjti i doli në ndihmë mërgatës në Zvicër me nismën e tij për integrimin e tyre në shoqërinë zvicerane me ç’rast themeloi Universitetin Popullor Shqiptar.
“Leuenberger u angazhua kaq shumë për të ndihmuar shqiptarët kur pak njerëz besonin në potencialin tonë, e vazhdon të besojë fuqishëm se mundësitë më të mira dhe sukseset më të mëdha i kemi përpara. Në këtë frymë edhe u dakorduam të kultivojmë tutje bashkëpunimin tonë e unë kisha kënaqësinë që ta falënderojë atë në emër të qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e pakyrsyer që u dha shqiptarëve në kohët më të vështira”, ka shkruar ajo.
Më vonë ajo është takuar me presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Andreas Aebi, për siç ka thënë ajo, thellimin e marrëdhënieve mes të Kosovës dhe Zvicrës.
“Prioritetet e institucioneve të ardhshme, menaxhimi i pandemisë e sigurimi i vaksinave, potenciali i jashtëzakonshëm i mërgatës sonë si dhe bashkëpunimi ndër-parlamentar e ekonomik, ishin vetëm disa nga temat që i diskutuam gjatë takimit tonë shumë përmbajtjesor. Mirënjohje e thellë për mbështetjen e deritanishme nga Zvicra e poashtu optimizëm i thellë për rrugën tonë përpara”, ka shkruar ajo.