Rajoni

Palmer: E njoh Albin Kurtin për vite të tëra, kam respekt të jashtëzakonshëm

Shpërndaje

Mathew Palmer, zëvendësndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka folur për disa çështje gjatë intervistës së tij në Debat Plus në Tv Dukagjini.

Palmer tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës punojnë me qeveritë të cilat dalin nga zgjedhjet e lira.

Ai po ashtu i ka dhënë një porosi opozitës në vendin tonë.

“Siguroni kuorumin për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë Palmer.

Palmer në këtë intervistë ka dhënë mendimin e tij edhe për zgjedhjen e Vjosa Osmanit, si presidente të vendit.

“Nuk mendoj që ka ndonjë arsye pse nuk do të ishte në gjendje t’i plotësoj kushtet për president”, tha Palmer, duke shtuar se votuesit do të zgjedhin presidentin e ardhshëm, në mënyrë indirekte përmes procesit parlamentar.

Fjalë të mira gjatë kësaj interviste ka thënë edhe për kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin kur është pyetur nëse e sheh si partner të përshtatshëm politik.

“Nëse me ‘të përshtatshëm’ e mendoni dikë që është i gatshëm për të punuar krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të ndihmuar në avancimin e së ardhmes dhe në të mirë të Kosovës, absolutisht po”, u shpreh Palmer.

Palmer ka thënë se mirëpret mundësinë që të punoj me Kurtin.

“Kemi pasur marrëdhënie të mira me Kurtin kur ka qenë kryeministër. Unë e njoh Albinin për vite të tëra, kam respekt të jashtëzakonshëm, mendoj se ai i vë interesat në të mirë të Kosovës dhe mirëpres mundësinë që të punoj me të dhe qeverinë e tij”, tha Palmer.

Në intervistë, Palmer është pyetur edhe rreth përplasjeve të fundit mes Kurtit dhe ambasadorit Richard Grenell të cilin e ka quajtur “qytetar privat”.

“Ambasadori Grenell është qytetar privat, nuk mund të flas për pikëpamjet e tij apo kë përfaqëson. Grenell nuk përfaqëson qeverinë amerikane”, u shpreh Palmer.

Në intervistën e tij në Debat Plus, Palmer ka treguar nëse e sheh mundësinë që të arrihet marrëveshja Kosovë- Serbi, gjatë këtij mandati qeveritar.

“Sigurisht, mendoj se është shumë e mundshme, por ngurroj të caktoj afat kohor për këtë proces”, tha Palmer.