PE miraton programin “BE për shëndetin”, buxheti 5.1 miliardë euro
Parlamenti Evropian (PE) miratoi sot programin “BE për shëndetin” si përgjigje kundër pandemisë COVID-19, me një buxhet 5.1 miliardë euro për periudhën 2021-2027. Në seancën plenare, anëtarët e Parlamentit Evropian mbështetën marrëveshjen e përkohshme me Këshillin mbi programin “BE për shëndetin” me 631 vota pro, 32 kundër dhe 34 abstenime, raporton agjencia e lajmeve Hina.
Qëllimet kryesore të programit janë forcimi i sistemeve shëndetësore duke mbështetur vendet anëtare në koordinimin e ndërsjellë dhe ndarjen e të dhënave, si dhe disponueshmëri më të madhe të ilaçeve dhe produkteve mjekësore me çmime më të volitshme.
Pandemia COVID-19 ka treguar se koordinimi më i madh është i nevojshëm midis shteteve anëtare gjatë krizave shëndetësore, si dhe kapacitet më të madh në nivelin e BE-së për të luftuar dhe përgatitur për krizat shëndetësore, me investime më të mëdha në sistemet shëndetësore, për të siguruar që ata janë të përgatitur për sfidat e ardhshme.
Programi i ri i shëndetit do të sjellë përfitime në fushat ku BE mund të shtojë vlerë duke plotësuar politikat e shteteve anëtare.
Falë programit, do të jetë e mundur të investohet në furnizime mjekësore për raste krizash, të formohen ekipe rezervë të punonjësve shëndetësorë dhe ekspertëve, të cilët mund të mobilizohen për të parandaluar ose reaguar ndaj krizave shëndetësore në të gjithë BE-në dhe për të trajnuar punonjësit shëndetësorë për misionet në të gjithë BE-në.
Do të jetë gjithashtu e mundur të intensifikohet monitorimi i kërcënimeve shëndetësore dhe të përmirësohet qëndrueshmëria e sistemeve shëndetësore në mënyrë që të sigurohen kushte dhe rezultate më të mira shëndetësore për të gjithë qytetarët.
Në diskutimin në seancën plenare, deputetët theksuan rolin që programi i ri do të luajë në luftimin e pabarazive shëndetësore midis vendeve anëtare, si dhe midis grupeve të ndryshme shoqërore.