Përfundoi koordinimi te Xhaferi, sonte nuk ka mbledhje për shtyrjen e regjistrimit
Nuk ka kushte sot të mbahet mbledhje e Kuvendit për shtyrjen e regjistrimit. Ky është epilogu i koordinimit të pasdites te kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, informojnë nga grupet parlamentare.
Sipas tyre, nëse krijohen kushte, mbledhja do të mbahet nesër.
Kundër mbajtjes së mbledhjes, siç thonë, ishte koordinatori i grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës sepse ka konsideruar se shtyrja e regjistrimit për në shtator nuk është për shkak të situates aktuale shëndetësore, por bëhet fjalë për vendim politik.
Xhaferi paraprakisht tha se nuk mund të tregojë se kur do të miratohen ndryshimet e Ligjit për regjistrim sepse ka procedura të cilat duhet të respektohen. Duhet të ruhen të gjitha veprimet, theksoi dhe informoi se nga aspekti formal propozimet ua ka kthyer propozuesve, prej ku pret që sa më shpejtë t’i kthejnë përsëri në Kuvend.