Qeveria e zgjeruar, VMRO-ja ndryshoi qëndrim, PLD-ja tha “jo”, për ASH-në ky është blof
Pasi që e mori besimin në Kuvend, dje kryeministri Zoran Zaev i ofroi opozitës që të jetë pjesë e Qeverisë. Për VMRO-DPMNE ky është litarë për shpëtim, ndërsa pas “Po-së” së djeshme për Qeveri ekspertësh, sot kaluan në “Jo” kategorike. Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se ky është vetëm blof.
“Edhe Zaev edhe LSDM dhe i gjithë opinioni duhet të dinë se nuk ka pakte me mafinë, as nuk do të mbështesim. Së pari do tu mposhtim, e më pas do të vijojë përgjegjësi”, tha Vlladimir Misajllovski nga VMRO-DPMNE-ja.
“Edhe po të hyjmë në Qeveri, ne nuk do të hyjmë si kukulla. Ka në Qeveri kukulla nga BDI, ata janë aty pa kushte dhe çdoherë kur u duhen cilës do pari politike nga blloku maqedonas, qoftë VMRO-DPMNE-së apo LSDM-së”, tha Arben Taravari nga ASH-ja.
Propozimi i Zaevit nuk është i pranueshëm as për partnerët e koalicionit, BDI mbrëmë u distancua nga propozimi i tillë, ndërsa PLD dërgoi porosi se nuk do të marrin pjesë në një dasmë të tillë.
“Nëse duhen, le të martohen. PLD nuk do të marrë pjesë në dasmë të tillë. PLD do të ndjek shembullin që e përmendi kryeministri Zaev, Gjermaninë, ku liberal demokratët gjerman nuk marrin pjesë në Qeveri të zgjeruar”, deklaroi Goran Milevski nga PLD-ja.
Për analistët nga njëra anë veprimi i Zaevit është ndarje e përgjegjësisë për proceset negative, ndërsa nga ana tjetër propozim i shkëlqyeshëm për hyrje në ujëra më të qetë.
“Tani kjo është ideja, disi të pengohet rënia e popullaritetit dhe mbështetjes që e ka partia në pushtet deri ne zgjedhjet lokale të cilat priten në fillim të tetorit; duke e shtuar këtu pakënaqësinë e kryetarëve të komunave, e bën këtë supozim më të vërtetë”, vlerëson Vlladimir Bozhinovski, analist.
“Çfarëdolloj tensioni politik, nuk do të thotë se zgjidhet me koalicion të gjerë, por them se kryeministri seriozisht ka lëshuar pe, nëse kjo ofertë është dhënë dhe është dhënë disa javë para kongresit të partisë. Që do të thotë se ai ka shumë punë dhe detyrë që kjo gjë të kalojë edhe në kongres, por Zaev është i njohur sipas hapave të pajtimit të shoqërisë, ndoshta kjo është pjesë e asaj”, tha Albert Musliu, analist.
Përndryshe Maqedonia deri më tani disa herë ka formuar të ashtuquajtur qeveri të gjerë në të cilën kanë marrë pjesë të dyja palët me qëllim që të tejkalohen problemet dhe sfidat kyçe shtetërore, siç ishte konflikti në 2001.