Ryshfet për marrjen e patentës, 200 euro plus për ta marrë me të parën
Po të duash të marrësh patentën e shoferit, jo gjithmonë përgatitja në vozitje mund të kryej punë. Në Shkup, një sekret publik ka arritur kulmin ku kandidatët dhe instruktorët flasin hapur për korrupsion. Nëse në procedurë të rregullt kategoria B kushton afër 500 euro, edhe aq duhet të japin duke paguar ri testimin në qytet për disa herë nga 70 euro. Disa kandidatë thonë se dikush nga anësh iu kanë ofruar edhe mundësi të dhënies së ryshfetit për të kaluar me të parën, përndryshe do të heqin të zinjtë e ullirit.
“Komplet rreth 40 mijë denarë deri më tani me orë dhe pagesa tjera. Mendon se duhet të qerasësh atje në Qendrën e Provimeve për të mund të kalosh? Po, normale është kjo, të gjithë e dinë!”
“Për herë të parë testohem. Cilat janë pritshmërit tua? Jo shumë të mëdha ta them sinqerisht, por të shohim. Përse? Varet si do të shkoj. A ka ndonjë arsye tjetër? Po ka disa që japin diçka ekstra.”
Kritika të shumta ndaj drejtuesve të Qendrës e provimeve automobilistike në Shkup vijnë edhe nga shumica e instruktorëve nëpër auto shkolla të ndryshme të kryeqytetit. Sipas tyre drejtori ka krijuar një skemë e cila favorizon kandidatë nga auto shkolla të afërta me dhënie ryshfeti, thonë instruktorët. Njëri prej tyre pa dashur të flet para kamerave, duke u ndjerë i kërcënuar se do të mbetet pa punë, thotë se ka pasur përvoja personale të ndërmjetësuesit e kanë lidhur me zyrën e drejtorit Zllatko Angellkovski.
“E kam me dëshmi për kandidatin tim për kategorinë E më thanë ka lidhje për të kaluar dhe me jep numrin e telefonit ku mund të paraqitem. Ai telefon është i sekretares së tij dhe unë e kam. Sa kërkojnë, cilat janë tarifat? PO varet, për kategorinë B rreth 200 euro. Unë ju them për atë që personalisht e kam përjetuar për kategorinë E kandidatit tim i kanë kërkuar 300 euro për ta kaluar qytetin me të parën.”
Gjithnjë sipas kandidatëve dhe instruktorëve, ata që nuk japin ryshfet, rrëzohen qëllimisht në testin e vozitjes për disa herë me radhë. Ka prej tyre që nuk e kanë kaluar këtë provë deri më 10 herë. Disa thonë se duhet të jesh ose gjeni ose me shumë lidhje për të kaluar për herë të dytë. Ata shprehen se komisioni me synim për të bërë gabime i fusin në akset më të komplikuara të kryeqytetit.
“Kjo është njëra nga auto shkollat e cila po testohet një udhëkryqin më famëkeq të Shkupit, afër shkollës ‘Bllazhe Konevski’, ku sipas instruktorëve të auto shkollave është aksi ku më së vështiri mund të kalohet testi në vozitje në qytet.”
Nga Qendra e Shkupit nuk deshën të flasin para kamerës, duke u përgjigjur me shkrim. Sipas të dhënave të tyre, gjatë muajit të fundit nga 1,794 kandidatë testin e vozitjes në qytet nuk e kanë kaluar 281. Nga Qendra e provimeve Shkup i hedhin poshtë të gjithë pretendimet e kandidatëve dhe instruktorëve duke theksuar se në muajin e fundit 478 kandidat kaluan me të parën. Sipas ligjit të ri video incizimet gjatë dhënies së testit me komision ruhen vetëm 24 orë në Auto Qendrat e provimeve. Kjo nuk lë hapësirë për të shprehur ankesa nga kandidatët në rast se dyshojnë për lëshime nga komisioni. Këto qendra të provimeve automobilistike janë private, të autorizuara nga Ministria e brendshme prej vitesh, vakum i cili sipas ekspertëve të komunikacionit lë dyshime për korrupsion./alsat