Rajoni

Shqipëria i hap rrugën vaksinave ruse dhe kineze, qeveria autorizon dy ministra për të nisur negociatat

Shpërndaje

Qeveria shqiptare ka publikuar aktin normativ që i hap rrugën nisjes së negociatave për të siguruar vaksinat anti-COVID ruse dhe kineze.

Në aktin normativ thuhet se autorizohen dy ministrat Ogerta Manastirliu dhe Arben Ahmetaj për të negociuar për të siguruar vaksina nga vende, që i kanë prodhuar dhe certifikuar ato brenda territorit të tyre.

Ky parashikim në aktin normativ, hap rrugën për të negociuar për marrjen e vaksinave ‘Sputnik V’ nga Rusia dhe vaksinave ‘Sinovac’ dhe ‘Sinofarm’ nga Kina.

Ky akt normativ, përbën një ndryshim në politikën e ndjekur nga qeveria shqiptare për sigurimin e vaksinave anti-COVID.

Më herët kryeministri Rama, por edhe ministrja Manastirliu kishin deklaruar disa herë se po punonin për të siguruar vetëm vaksina që janë të certifikuara nga FDA në SHBA dhe EMA në Europë.

Aktualisht, Shqipëria e ka nisur procesin e vaksinimit prej fillimit të janarit falë dozave që janë dhuruar, por pjesës tjetër që janë marrë falë kontratës me ‘Pfizer’.

Procesi deri më tani ka ecur me ritme jo shumë të shpejta, ndërkohë që ditën e nesërme pritet të vijnë 38 400 dozat e para të vaksinës ‘Astrazeneca’.