Takim liderësh për të çbllokuar Kuvendin e Maqedonisë së Veriut
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka shprehur gatishmëri për mbajtjen e një takimi të liderëve të partive parlamentare.
Përveç partive në opozitë, ai tha se është i gatshëm të ulet edhe me partitë më të vogla të përfaqësuara në Kuvend për të tejkaluar të gjitha dallimet dhe mosmarrëveshjet.
Por qëllimi kryesor i një takimi të tillë, sipas kreut të Qeverisë së vendit fqinj, është çbllokimi i Kuvendit që erdhi si pasojë e dorëzimit të mijëra amendamenteve nga partitë shqiptare në opozitë.
Ai thotë se kjo situatë nuk mund të vazhdojë dhe mund të zgjidhet në dy mënyra, një prej të cilave është edhe takimi i liderëve.
“Sa kemi ndonjë plan për zhbllokimin e Kuvendit, me ato amendamentet e opozitës, me ato bllokada përmes komisioneve që udhëhiqen nga ana e opozitës, kemi dy plane, njëri është që të na ndihmoni ju si media dhe të njoftoni opinionin se cilat janë detajet e bllokadës që të mund politikanët që nuk kanë bazë të argumentuar, të tërhiqen. Flas edhe për pushtetin edhe për opozitën. Dhe pjesa e dytë është dialogu. Çdo ditë në kuvend ulen dhe bisedojnë, në rast se ka nevojë për takim liderësh edhe atë do ta bëj, do të thërras takim liderësh, edhe me opozitën maqedonase, edhe me opozitën shqiptare dhe partitë e tjera në Kuvend, por besoni se dëmin e përjetojnë vetëm qytetarët” ka thënë Zaev.
Duke komentuar ligjin për shtetësi që u bë shkak për bllokimin e Kuvendit, Zaev tha se duhet të rregullohen procedurat për marrjen e shtetësisë, por kjo shtoi se duhet të bëhet në përputhje me praktikat evropiane dhe jo me dëshmitarë.
E gjithë kriza lindi pas bllokimit të Ligjit për shtetësi që u propozua nga partitë shqiptare opozitare Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.
Fillimisht këtë propozim ligj e kundërshtoi Qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa LSDM paralajmëroi se nuk do ta mbështes.
Pasi ligji hyri në komisione parlamentare, VMRO-DPMNE dorëzoi qindra amendamente duke pamundësuar procesimin e mëtejmë të propozimit. Pas këtij veprimi të partive maqedonase në pushtet dhe opozitë, dy krerët e opozitës shqiptare, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi paralajmëruan se do të përgjigjen me gjuhën e njëjtë.
Kështu, ditëve të fundit, grupi parlamentar i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës deponuan në Kuvend mijëra amendamente për disa ligje të cilar janë në procedurë dhe thanë se nuk do t’i tërheqin derisa partitë e tjera të reflektojnë dhe ulen e të diskutojnë për Ligjin për shtetësi.