Vetëvendosja i dërgon letër Konjufcës: Sot në 17:00 të mbahet seancë në Kuvend për votimin e qeverisë së Kosovës
Sot rreth orës 17:00 do të mbahet seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për votimin e qeverisë së re.
Kjo është kërkesë e grupit parlamentar të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka fituar shumicën e nevojshme në zgjedhjet e 14 shkurtit për të formuar qeverinë e re të Republikës së Kosovës.
Vetëvendosja i ka dërguar një letër Glauk Konjufcës, i cili u zgjodh sot si kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës.
“Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje kërkon thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për votimin e qeverisë duke marrë parasysh rrethanat e vakumit institucional dhe vullnetin e qytetarëve të Republikës të dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit 2021 si dhe me faktin se Republika e Kosovës nuk ka qeveri kushtetuese me legjitimitet qytetar”, thuhet në letrën që i është dërguar nga Vetëvendosja.
Më parë, Presidenti në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca, nëpërmjet një letre drejtuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kërkuar që ky subjekt fitues i zgjedhjeve të 14 shkurtit ta propozoj mandatarin për Kryeministër.
Në letër, u.d. Presidenti Konjufca, duke iu referuar dispozitave kushtetuese dhe njoftimit të KQZ-së për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta krijuar Qeverinë e re.
Kujtojmë se Glauk Konjufca është zgjedhur sot paradite si Kryetar i Parlamentit të Kosovës në legjislaturës e tetë. I propozuari i Lëvizjes Vetëvendosje është zgjedhur me 69 vota pro, 33 kundër dhe asnjë abstenim nga 113 deputetë të pranishëm në sallë.
Top Channel