Zaev synon rritjen e shumicës parlamentare
Kryeministri Zoran Zaev deklaron se besimi që mori dje nga deputetët e obligon të punojë në drejtim të zhbllokimit të ligjeve që kanë ngecur në Kuvend. Ai përsëri theksoi se synon rritjen e numrit të deputetëve të shumicës.
“Më mirë është shumica të jetë më e madhe se 62, është më lehtë. Por edhe kështu mbahet, besoj se do të mbijetojë katër vite. Them se sa është i keq bllokimi që ndodh në Kuvend. Unë si kryetar i Qeverisë nuk do ta toleroj këtë. Normalisht, me nderin që mora sa i takon besimit, mora edhe përgjegjësinë plotësuese për zhbllokimin e Kuvendit. Sigurisht, me bazë ligjore, nëpërmjet Rregullores, nëpërmjet debatit… Këto ditë do të prezantoj edhe politika të reja. LSDM-ja në mënyrë afatgjate mendon për politika të reja për të cilat do të flas në ditët dhe muajt e ardhshëm me qëllimin e vetëm; përparim më të madh, efikasitet më të madh, inkluzivitet, kolegialitet dhe bashkëpunim në nivel të arritjes së konsensusit për sa më shumë çështje që është e mundur”, tha Zoran Zaev, kryeministër.