Maqedoni

Besimi: Planin financiar për rritje të përshpejtuar prezantohet para FMN dhe bakës Botërore

Shpërndaje

Ministri i Financave Fatmir Besimi, gjatë javës së ardhshme do të marrë pjesë në Takimet pranverore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të cilat këtë vit mbahen online. Në kuadër të këtyre takimeve, ministri i Financave para institucioneve financiare ndërkombëtare do t’i prezantojë masat ekonomike për ballafaqim me krizën e Kovidit dhe impaktin e tyre ndaj ekonomisë si dhe Planin financiar për rritje të përshpejtuar (Growth Financing Plan), dokument i ri strategjik i cili ka për qëllim që përmes sigurimit të mekanizmave dhe burimeve të reja të financimit të bëj nxitjen e rritjes ekonomike dhe njëkohësisht të ndikojë në konsolidimin fiskal, përkatësisht ngushtimin e deficitit dhe stabilizimin e borxhit publik. Gjithashtu, do të shqyrtohet bashkëpunimi aktual dhe portofolio e projekteve me institucionet financiare ndërkombëtare, progresi dhe pritshmëritë për periudhën e ardhshme.

Plani financiar për rritje të përshpejtuar do të luajë rol të rëndësishëm për ekonominë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe rritjen e numrit të vendeve të punës, përmes shfrytëzimit të investimeve publike dhe mjeteve nga kreditorët zyrtarë për mobilizimin e kapitalit privat. Rezultatet e pritura janë përshpejtimi i dyfishtë i rritjes ekonomike (nga 2.5% në 5% në periudhën afatmesme), ruajtja e nivelit të borxhit publik dhe deficitit buxhetor në kuadër të kriterit të Mastrihtit dhe rritja e investimeve publike dhe private.

Ideja kryesore e planit është që përmes krijimit dhe shfrytëzimit të mekanizmave dhe instrumenteve të reja, fondeve dhe burimeve financuese të krijohet efekt multiplikativ, ku përveç investimeve të planifikuara publike në vlerë prej 4 miliardë euro për periudhën 2021-2025 do të mobilizohen më shumë mjete dhe investime nga sektori privat. Si rrjedhojë, do të rriten për disa herë investimet e përgjithshme publike në ekonomi dhe do të kontribuohet në mënyrë shtesë në përshpejtimin e rritjes së bruto prodhimit vendor dhe krijimit të vendeve të reja të punës.