Hasani: Pandemi ka pasur edhe në kohën e profetit Muhamed, masat i sollëm që me qetësi të kalojmë festat
Zëvendës ministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani në konferencën e sotme për shtyp tha se masat restriktive kanë qenë të paevitueshme me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
“Pandemi ka pasur edhe në kohën e profetit tonë Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Ky është realiteti jonë. Jemi të vetëdijshëm që masat që sollëm janë më restriktive. I sollëm me vetëdije të plot që të gjithë së bashku me qetësi t’i kalojmë festat dhe të mos ballafaqohemi me situata ku të afërmit tonë dhe tuajt të jenë të sëmurë të hospitalizuar ose larg qoftë që të humbin jetën nga virusi”, tha mes tjerash Hasani.
Hasani apeloi deri tek qytetarët që të respektojnë masat kundër Covid-19 në prag të festave.
“Qytetarët gjatë festave të kenë kujdes, sepse ne kemi traditë që gjatë festave të vizitojmë më të moshuarit, por duhet të kemi kujdes se të moshuarit janë më të ndjeshëm. Masat që ndërmorëm kanë për qëllim që të ulin edhe presionin ndaj spitaleve, madje edhe për t’ju mundësuar qytetarëve që të festojnë në mënyrë sa më të sigurt”, tha zv/ministri Hasani.