Konjufca: Ndryshimi i Ligjit për zgjedhjet s’ka lidhje me zgjedhjen e presidentit
Kryetari i kuvendit, njëherësh ushtruesi i detyrës së presidentit, Glauk Konjufca thotë se nisma për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme nuk ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit.
Konjufca ka kritikuar qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila e cilësoi si “shantazh” sjelljen në kuvend të ndryshimeve në këtë ligj, para mbajtjes së seancës për zgjedhjen e presidentit.
“Si mund të thotë LDK-ja që ky ligj është shantazh për zgjedhjen e presidentes!? Ajo si parti para pak ditësh zyrtarisht ka marrë vendim që do të qëndrojë në sallë. Ky është një qëndrim shumë i pjekur e racional në përpjekje për stabilitetin institucional të Kosovës të cilin e përshëndesim. Të drejtat e domosdoshme të mërgatës sonë nuk janë shantazh për askënd. Është për të mirën e popullit tonë që jeton jashtë Kosovës”, thotë Konjufca.
Konjufca ka thënë se qytetarët e Kosovës qe 20 vjet kanë pritur që ky ligj të ndryshohet, në mënyrë që ata të mund të votojnë në ambasadat dhe konsullatat që Kosova ka në vende të ndryshme të botës.
“Askush nuk e ka pritur që kundërshtimi i të drejtave të mërgatës sonë të shkojë në këtë nivel që po e shohim”, shtoi Konjucfa.
Sipas Konjufcës vendi shkon në zgjedhje vetëm nëse në sallë, në momentin kur do të votohet presidenti i ri, nuk qëndrojnë deputetët.
“Vetëm ata e marrin përgjegjësinë e zgjedhjeve të reja dhe askush tjetër”, thotë ai.
Qeveria e Kosovës ia ka proceduar kuvendit ndryshimet në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme. Këto ndryshime duhet të miratohen në dy lexime nga deputetët.
Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se ka siguruar nënshkrimet për thirrjen e seancës për presidentin, e cila mund të mbahet pas votimit në dy lexime të Ligjit për zgjedhjet.
Si kandidatë për president janë Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta. Që të dy në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë kandiduar me Listën e Osmanit, që garoi në kuadër të listës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota për të deputetëve.
Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.
Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.