Rajoni

Kryeparlamentari Konjufca: Beteja e Koshares ishte shigjeta jonë e çlirimit dhe lirisë

Shpërndaje

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi lule në Kompleksin Memorial në Koshare, në nderim të 114 dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas homazheve, kryeparlamentari Konjufca tha se Beteja e Koshares, e 9 prillit 1999, ishte shigjeta jonë e çlirimit dhe e lirisë.

“Jemi këtu për t’u përkulur para sakrificës së dëshmorëve të Betejës së Koshares. Në vitin 1999, pikërisht më 9 prill, filloi Beteja e lavdishme e Koshares, e cila ishte shigjeta jonë e çlirimit dhe e lirisë. Në krye me heronjtë e Kosovës Agim Ramadani e Sali Çekaj dhe me shumë luftëtarë dhe dëshmorë të cilët e dhanë jetën për çlirimin e Kosovës, Beteja e Koshares është një ndër momentet më të rëndësishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës“, ka thënë kryparlamentari Konjufca, duke shtuar se Brigada 138 shembi gurin e kufirit dhe përmes kësaj dha shembullin se kombi shqiptar është një.

“Fakti që kjo ditë koincidon me ditën e Kushtetutës së Kosovës është simbolikë e çlirimit të Kosovës“, theksoi kryetari i Kuvendit, z.Konjufca.

Po sot janë përkujtuar me nderime edhe dëshmorët dhe të rënët në Rakoc e Lagje të Re të Kaçanikut.

Lajmi: Konjufca: Beteja e Koshares ishte shigjeta jonë e çlirimit dhe lirisë