RajoniTop Lajme

Kuvendi i Kosovës tenton sërish sot zgjedhjen e Presidentit të ri

Shpërndaje

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot në tentativë për të zgjedhur në postin e Presidentit, Vjosa Osmanin. Mësohet se seanca për zgjedhjen e presidentit do të nisë në orën 17:00.

Njoftimi është bërë nga kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili tha se seanca e djeshme dështoi dhe do të tentohet që presidenti të zgjidhet sot.

Kjo pasi që në seancën e së shtunës mungoi kuorumi në vendimmarrje gjatë votimit të përsëritur të raundit të parë për presidentin e vendit.

“Në mungesë të kuorumit të mjaftueshëm për vendimmarrje gjatë votimit të përsëritur të raundit të parë për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës seanca do t’i vazhdojë punimet në datën 4 Prill 2021 në orën 17:00”, tha ai.

Një ditë më parë në Kuvend dështoi seanca për zgjedhjen e Osmanit, për shkak të mungesës së kuorumit prej 80 votash. U tentua dy herë votimi, por numri i deputetëve që morën pjesë ishte 79.