Opozita shqiptare: Shqiptarët nuk janë as përqindje e as pjesë, por janë shumicë shtetformuese dhe janë tërësi e pandashme
Koalicioni opozitar shqiptar, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë dhënë variantin e tyre, për procesin e miratimit të Ligjit për shtyrjen e regjistrimit. Thonë se, edhe pse Organizata e Kombeve të Bashkuara rekomandonin mosrealizimin e këtyre proceseve në kohë pandemie, sërish shumica parlamentare vendosi të fillojë procesin e regjistrimit.
“Por, kur ne e pamë se kjo shumicë nuk dëgjonte për argumente shëndetësore, ndërsa votat tona nuk mund ta ndryshonin atë vendim, ne iu qasëm çështjes se çfarë mund të përfitohet nga ky proces. Prandaj edhe e mbështetëm ligjin, të cilin shumica parlamentare e sabotoi dhe prandaj pas asaj bëmë gjithë atë fushatë vendore dhe më gjerë që ta mobilizojmë mërgatën tonë të regjistrohet, ndërsa brenda i angazhuam strukturat tona që këtë detyrë ta realizojmë me përgjegjësinë më të lartë. E pastaj, kur doli puna se shqiptarët vetëm në mërgatë e kaluan 200-mijëshin e të regjistruarve, ndërsa pala maqedonase e bojkotonte regjistrimin, dy liderët e partive më të mëdha maqedonase, ai i LSDM-së – Zaev, dhe ai i VMRO-DPMNE-së –Mickovski, u takuan kokë më kokë në një takim monoetnik, me qëllim që ta shtyjnë regjistrimin. Andaj, duke e ditur se sa e rrezikshme është për një shtet aspirant për BE që në takime monoetnike të vendoset për çështje shtetërore dhe shteti për herë të dytë ta anulojë regjistrimin e popullsisë, ndërkohë që nuk ka pasur regjistrim në 20 vjetët e fundit, ne e penguam anulimin e tij, ashtu që deri më 1 prill ata që u morën vesh nuk arritën të prodhojnë vendim parlamentar për shtyrjen e tij”, thonë mes të tjerash nga ASH-AAA.
Kanë vlerësuar sërish, se Ligji paraprak për regjistrim është shkelur nga Enti i Statistikave, ndërkaq, kritika kanë dërguar edhe ndaj kryeparlamentarit Talat Xhaferi, pasi sipas tyre, “pengoi opozitën të dorëzojë amendamente”.
Kritika kanë dërguar edhe te LSDM, VMRO-DPMNE dhe BDI, ndërkaq, hedhin dyshime se mund të anulohet regjistrimi i diasporës, duke dërguar patashtresë partitë politike maqedonase në Gjykatën kushtetuese. “Se pse ajo bën këso veprime, këtë duhet ta shpjegojnë ata, ndërsa ne jemi të bindur se shqiptarët nuk do ta harrojnë se kush në çfarë pozite ishte në këtë çast strategjik e historik. Mënyra se si u shty regjistrimi flet për indikacionin se eksponentë të caktuar të politikës nacionaliste maqedonase do të bëjnë çmos që, përmes Gjykatës Kushtetuese, ta anulojnë regjistrimin e mërgatës, në mënyrë që ta shpëtojnë përqindjen e maqedonasve dhe ta ulin përqindjen e shqiptarëve. Pasi që i kanë përzënë 300 mijë shqiptarë nga ky vend, tash duan edhe t’i fshijnë tërësisht nga e drejta e tyre për të qenë pjesë e këtij shtet”, vlerësojnë më tej nga ASH-AAA. Premtojnë se do të përdorin të gjitha mekanizmat, për të parandaluar këtë, pasi siç thonë, “shqiptarët nuk janë as përqindje e as pjesë, por janë shumicë shtetformuese dhe janë tërësi e pandashme”, përfundojnë nga koalicioni.