Shqipëria nuk realizon asnjë fluturim, kontrollorët e trafikut ajror në protestë
Situata në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza” vazhdon të mbetet problematike, pas ndërprerjes së punës nga kontrollorët e trafikut ajror, ndërkohë që disa fluturime janë anuluar dhe disa janë shtyrë.
Pavarësisht thirrjeve të zyrtarëve të lartë të vendit për rikthimin e kontrollorëve në punë që kundërshtojnë uljen e pagave, situata vazhdon të jetë e bllokuar në aeroport, që ka rezultuar me anulimin e disa fluturimeve që ishin planifikuar paraditen e sotme.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Tiranës ka filluar hetimet për situatën në aeroport, ndërkohë që autoritetet kanë ripërsëritur thirrjet e tyre për rikthimin e kontrollorëve të trafikut ajror në punë.
Avokati i kontrollorëve, Rezart Kthupi, në një deklaratë për mediat tha se 24 kontrollorë të trafikut ajror janë shoqëruar nga policia.
“Janë në kushtet e shoqërimit. Janë intervistuar dhe kanë dhënë shpjegimet lidhur me situatën”, tha Kthupi, duke konfirmuar se disa prej tyre pas shoqërimit janë në lënë të lirë.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, në rrjetet sociale tha se strukturat e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, si pjesë integrale e aeroportit, kanë rritur vigjilencën për të garantuar ruajtjen e perimetrit të sigurisë së aeroportit, “veçanërisht pas bojkotimit të punës nga kontrollorët”.
Kujtojmë se me anë të një deklarate për mediat, Sindikata e Pavarur e Kontrollit të Trafikut Ajror (SPKTA) tha se vendimi për uljen e pagave të kontrollorëve është realizuar pa asnjë proces konsultimi dhe sipas tyre shkel një numër të konsiderueshëm ligjesh, ndërkohë pagat e tyre janë ulur për shkak të ndikimeve të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).
Sipas kësaj sindikate, situata në lidhje me gjendjen e tyre “ka krijuar një gjendje të rrezikshme dhe nivel stresi shumë të madh për kontrollorët e trafikut ajror”.
Në lidhje me situatën në aeroport reaguan edhe zyrtarë të lartë të vendit, si presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke bërë thirrje për rikthimin e kontrollorëve të trafikut ajror në punë.