Maqedoni

Snopçe: Zaevi dhe Mickoski poentojnë se kush është maqedonas më i madh, flasin kundër Ligjit

Shpërndaje

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe duke komentuar deklaratën e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ku thotë se, “diaspora evidentohet”, ka dërguar kritika edhe ndaj kryeministrit Zoran Zaev.

Thotë, se që të dy po bëjnë luftë për të poentuar se kush është maqedonas më i madh dhe sipas tij, këto deklarata janë kundër ligjit.

“Zaevi dhe Mickoski duke përjetuar ekstazën e triumfit të tyre, ndaj shqiptarëve, bëjnë luftë e kush do të poentojë më shumë si maqedonas me i madh me deklarata ekstreme gjithnjë kundër Ligjit. Fillimisht pas marrëveshjes së tyre doli Zaevi dhe tha që me kroskontrollen e të dhënave do të shlyhen nga regjistri të gjithë mërgimtarët që nuk kanë shtetësi. Kjo deklaratë është kundër Ligjit për regjistrim, pasi shtetësia nuk ka lidhje me regjistrimin dhe sipas ligjit regjistrohen të gjithë pavarësisht a kanë apo jo shtetësi. Pastaj na del Mickoski dhe thotë se ato vetëm do të evidentohen. Edhe kjo deklaratë është kundër Ligjit. Pra, ato bëjnë garë me deklarata kundërligjore në një shtet, që sot në mënyrë eklante e shkeli ligjin me mosnisjen e procesit të regjistrimit. Mbase kanë edhe ndonjë marrëveshje tjetër për të ndërruar përsëri Ligjin përpara shtatorit, për të cilin ne si opozitë i kemi hedhur dyshimet tona, për që fatkeqësisht hasin në vesh të shurdhër te BDI-ja, të cilët për shkak se janë të kapur, pranojnë gjithçka, bile duke i thyer edhe parimet elementare për të cilët vetëm para tre ditëve i binin tavolinës në studiot televizive”, tha Snopçe për TV21.