Vaksina “AstraZeneca” nuk do t’u jepet personave nën 60 vjeç
Pas shqyrtimit të qëndrimit të Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) në lidhje me sigurinë e vaksinës “AstraZeneca”, kemi miratuar një qëndrim në vendin tonë që vaksina të mos u jepet personave më të ri se 60 vjeç, kumtoi sot Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ai theksoi se për qëndrimin e EMA-s në lidhje me sigurinë e vaksinës “AstraZeneca” ka biseduar me anëtarët e grupit punues për imunizim dhe disa drejtorë të klinikave.
“Pas vlerësimit të të gjitha efekteve të padëshiruara anësore në formën e situatave trombotike, veçanërisht tek të rinjtë, Bordi doli me dy rekomandime – e para është që ato efekte anësore trombotike duhet të përfshihen në udhëzimet e vaksinës dhe së dyti që secili vend duhet të merrë qëndrim se si do të përdoret vaksina. Sipas kësaj, pas konsultimeve të mëngjesit, kemi miratuar qëndrim në vendin tonë që vaksina “AstraZeneca” të mos u jepet personave nën 60 vjeç”, tha Filipçe.
Ministri theksoi se për ata që tashmë kanë marrë një dozë të vaksinës “AstraZeneca”, ndërsa ato janë njerëzit që janë vaksinuar në Serbi, nuk ka rekomandime për ndonjë kujdes, përveç nëse ata kanë ndonjë simptomë të paraqiten për kontroll dhe ekzamin në mjek.
“Lidhur me rivaksinimin, duke marrë parasysh që duhet të vijë në një periudhë prej tre muajsh, deri më tani nuk ka asnjë qëndrim, ndërsa ne do t’i ndjekim edhe udhëzimet nga EMA dhe agjencitë e tjera kombëtare dhe gjatë periudhës vijuese do të marrim qëndrim lidhur me këtë pyetje”, shtoi Filipçe.