Ish-zyrtarët e akuzuar për keqpërdorime, ende në liri
Proceset gjyqësore kundër dhjetëra ish-zyrtarëve të Qeverisë së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, të akuzuar nga organet e ndjekjes për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe vepra të tjera penale, ende nuk kanë marrë epilog, edhe pesë vjet nga nisja e hetimeve dhe e proceseve gjyqësore.
Gjykimet deri më tani kanë përfunduar për ish-Ministren e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, e cila është dënuar me gjashtë vjet burgim, ish-drejtori i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov është dënuar për tre vepra penale, me nga 12, 8 dhe 3 vjet burgim dhe disa ish-punonjës tjerë policorë.
Ata janë funksionarët e vetëm nga Qeveria e kaluar, që janë dënuar për keqpërdorim detyre e vepra të tjera penale.
Ish-kryeministri Nikolla Gruevski, është dënuar me dy vjet burgim për blerjen e një makine luksoze në vlerë prej mbi 600 mijë eurove, por ai nuk ka vuajtur dënimin për shkak të arratisjes në Hungari.
Kundër tij po zhvillohen edhe disa procese të tjera, sikur edhe një tjetër gjykim ndaj ish-shefit të Policisë Sekrete, Sasho Miajllkov, por që u shty për shkak të siç u tha “qartësimit të dëshmive”.
Procese gjyqësore kanë nisur, por ende pa epilog edhe kundër disa ministrave tjerë të ish-Qeverisë së Gruevskit, Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski, ndërsa hetime kishin nisur edhe për shumë të tjerë.
Epilog nuk ka as për ngjarjet e dhunshme në Kuvend, më 27 prill 2017, për çka janë akuzuar Nikolla Gruevski, ish-kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski dhe shumë ish-zyrtarë të tjerë.
Drejtuesit e institucioneve gjyqësore, vonesat i kanë arsyetuar me “çështje komplekse”, siç kanë thënë, por edhe pengesa të natyrave të ndryshme, që nuk i kanë sqaruar “për të mos ndikuar në hetimin dhe gjykimin e rasteve”.
Nga Qeveria, që tani drejtohet nga socialdemokrati Zoran Zaev, gjithashtu nuk kanë komentuar, siç kanë thënë “për të mos ndikuar në punën e gjyqësorit”, por që në fillim të mandatit, Zaev kishte premtuar “se të gjithë ata që e kanë shkelur ligjin nuk do të mund t’i ikin drejtësisë”.
Temelko Ristevski, njohës i çështjeve kushtetuese, thotë për Radion Evropa e Lirë, se e gjithë kjo është pasojë e gjyqësorit joefikas dhe të politizuar.
“Nuk po shkon ashtu siç ishte planifikuar. Kemi gjyqësi joefikase, kemi arsye objektive e subjektive. Ato objektive kanë të bëjnë me keqpërdorimin e ligjit, mosdorëzimin apo mospranimin e ftesave, organizim jo të mirë të procedurës gjyqësore. Për shkak të punës jo të mirë, mund të ndodhë që lëndët edhe të vjetërsohen. Kjo është e pafalshme. Unë kam qenë gjyqtar ushtarak dhe nëse një gjykatës do të dështonte në procesin gjyqësor, kjo do të ishte e papranueshme dhe gjykatësi nuk mund të llogariste në vazhdimin e mandatit. Kemi gjyqësi joefikase, mosnjohuri të lëndëve e arsye të tjera, siç është edhe pandemia, por kjo nuk duhet të jetë arsye për dështimin e gjyqësorit”, thotë Ristevski, duke shtuar se mospërfundimi i lëndëve gjyqësore ndikon negativisht në proceset në vend, evropianizimin e vendit, kthimin e besimit të qytetarëve në gjyqësor e pasoja të tjera.
“Gjyqësia duhet të jetë më efikase, nëse duam të anëtarësohemi në BE duhet të jemi më efikas, gjyqësori duhet të jetë në krye të detyrës, duhet të garantojë sundimin e ligjit, të jetë efikas dhe i pavarur, të respektojë të drejtat dhe liritë e qytetarëve”, thotë Temelko Ristevski, njohës i çështjeve kushtetuese.
Bashkim Selmani, profesor i së drejtës penale në Universitetin e Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pushteti aktual ka dështuar në sigurimin e një gjyqësori të pavarur, ndryshe nga ai që ishte në qeverisjen e Nikolla Gruevskit.
Sipas Selmanit, problemi kryesor qëndron në siç thotë ai, shpikjen e nocionit të pajtimit nga ana e kryeministrit Zoran Zaev. Ai vlerëson se kjo lë dyshime sikur ka një marrëveshje mes pushtetit të tij dhe atij të kaluar për të mos u konfrontuar për qëllime të ndërsjella, që janë të dëmshme për demokracinë dhe pritjet e qytetarëve për vendosjen e sundimit të ligjit në vend.
“Ai shpiku nocionin e pajtimit që ka pasur për qëllim që pushtetet të mos ngacmohen, në kuptimin e zbardhjes së krimit dhe kriminalitetit. Ky është zemërimi më i madh, pasi nënkupton se gjyqësori ende është i varur politikisht, pasi po të zbardhen përgjegjësitë penale, atëherë do të zbardhet edhe dëmi material që i është shkaktuar qytetarëve, qoftë me borxhet publike, kthimin e parave dhe konfiskimin e pronës. Qytetarët i shohin pasuritë e paligjshme që i kanë përfituar këta njerëz dhe shumë të tjerë. Por, e keqja këtu është se kjo qeveri, nuk pati qëndrim dhe vullnet për t’u përballur me krimin”, thotë Selmani.
Ngecjet në reformimin e sistemit të drejtësisë, janë theksuar në të gjitha raportet e Bashkimit Evropian, ndërsa në rast të nisjes së bisedimeve të anëtarësimit në bllokun evropian, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit, pritet të jenë të parat në agjendën e bisedimeve.