BotaTop Lajme

Llogaritë e Trumpit pezullohen në afat dyvjeçar, vendos Facebook

Shpërndaje

Kompania Facebook tha se do të zgjasë për dy vjet pezullimin e llogarive të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, në Facebook dhe Instagram.

“Në besojmë se veprimet e tij përbënin shkelje të rëndë të rregullave tona. Shkelja e tyre meriton dënimin më të rëndë bazuar në protokollet tona të reja”, tha Nick Clegg, zëvëndësdrejtor për çështje globale i Facebook-ut.

Kompanitë e rrjeteve sociale: Facebook, Instagram, Twitter dhe Youtube pezulluan llogaritë e Trumpit bazuar në pretendimet se ai nxiti protestuesit të sulmojnë Kongresin e SHBA-së më 6 janar.

Ndalesa prej dy vjetësh e Facebook-ut do të llogaritet nga data 7 janar, kur iu pezullua llogaria.

Muajin e kaluar Bordi i Pavarur Mbikqyrës i Facebook-ut e mbështeti vendimin për pezullim të llogarive, mirëpo e urdhëroi kompaninë që në këto raste, të ketë procese më të qarta, duke e quajtur të papërshtatshëm bllokimin pa i vendosur një afat.

Krahas vendimit më të ri, Facebook e ka paralajmëruar Trumpit që kur ky afat dyvjeçar të përfundojë mund të përballet me ndalesa edhe më të rrepta nëse vazhdon të bëjë shkelje të rregullave të kompanisë.

Disa politikanë dhe aktivistë të fjalës së lirë kanë shprehur shqetësime në lidhje me vendimin e kompanive të teknologjisë kundër një presidenti të atërshëm, i cili edhe pas përfundimit të mandatit vazhdon të jetë një figurë kryesore në Partinë Republikane.

Të tjerët, i kanë kritikuar Facebook-un dhe Twitter-in se, pse nuk ia kanë mbyllur më herët llogaritë.

Mënjeherë pas vendimit të Facebook-ut ka reaguar ish-presidenti Trump duke thënë se masa përbën një “fyerje” për miliona njerëz që kanë votuar për të në zgjedhje. Ai sërish, pa paraqitur asnjë fakt, e quajti procesin zgjedhor “të manipuluar”.

“Ata nuk duhet të lejohen të shpëtojnë pa u ndëshkuar nga ky censurim dhe heshtje e detyruar. Në fund të fundit ne do të fitojmë. Vendi ynë nuk mund ta durojë më këtë shkelje”, thuhet në një deklaratë për media të Trumpit.

Facebook ka një Bord Mbikqyrës prej 20 anëtarësh, përfshirë një ish-kryeministër të Danimarkës, ish-kryeredaktor të gazetës Guardian, studiues të ligjit, ekspertë të të drejtave të njeriut dhe gazetarë./REL