LVV synon t’i fitojë pa balotazh 3/4 e komunave në zgjedhjet lokale
Kryeministri i Kosovës njëherë edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetorit, kanë synim që të fitojnë ¾ e komunave, shkruan Insajderi.
Në një fjalim hapës në mbledhjen e 44-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, Kurti u është drejtuar delegatëve të partisë, duke thënë se në këto zgjedhje, duhet të fitojnë pa balotazh, derisa tha së gjasat për këtë parti janë shumë të mëdha.
“Është detyra jonë, e të gjithëve ne, që në këto zgjedhje të punojmë sa më pranë me qytetarët, për të fituar mundësisht pa balotazh. Gjasat i kemi të mëdha thuajse në të gjitha komunat. Nuk bën pa i fituar 3/4 e komunave. Qytetarët duhet ta përjetojnë qeverisjen e mirë, që sjell rregull e zhvillim urban, që sjell investime dhe punësim, sidomos në nivel lokal”, ka deklaruar ai.
Kurti më tej, ka thënë se “në këto zgjedhje lokale jo vetëm që jemi të gatshëm, por edhe synojmë, që të bashkëpunojmë me Listën GUXO, sikurse për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit”.
Ai u ka thënë delegatëve se LVV-ja po “sulmohet me luftë speciale e shpifje” dhe se partive të tjera duhet t’u jepet mesazhi se do të kenë rezultate të mira në zgjedhje, vetëm “kur të largojnë të korruptuarit nga mesi i tyre dhe të reformohen thellë”.