Opozita shqiptare: Bashkimi Evropian nuk pranon në familjen e vet qeveri të korruptuara
Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë reaguar ndaj “dështimit të radhës së Qeverisë në procesin integrues”. Bujare Abazi nga kjo parti, në konferencën e sotme për media, tha se arsyeja se pse vendi nuk ka filluar negociatat ende, është se BE nuk pranon në familjen e vet politikanë dhe Qeveri të korruptuar dhe jo për shkak të kontestit me Bullgarinë, transmeton Portalb.mk.
“Do të arsyetohen me Bullgarinë, por të gjithë ne e dimë se Bashkimi Evropian nuk pranon në familjen e vet politikanë e Qeveri të korruptuara e të kriminalizuara. Së fundmi vlerësime të këtilla erdhën edhe nga Uashingtoni përmes dekretit të presidentit Biden. Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa e kanë thënë shumë kohë më parë se kjo qeveri as vendin nuk mund ta qojë në Evropë dhe as Evropën nuk mund ta sjellë këtu”, deklaroi Abazi.
Ajo më pas, ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe po ashtu ka kërkuar dorëheqjen edhe të Qeverisë dhe t’i kthehet rivlerësimit nga sovrani.
Përndryshe dje Bullgaria konfirmoi qëndrimin e saj për perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut në takimin e sotëm të rregullt të Këshillit për punë të përgjithshme në Luksemburg, duke mbetur e hapur për dialog konstruktiv me presidencën e ardhshme sllovene me Këshillin e BE-së në gjetjen e zgjidhjes së ndërsjellë të pranueshme. Vetoja bullgare megjithatë bllokoi të dy vendet e rajonit në procesin eurointegrues.
Kontesti mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për çështje të historisë dhe të gjuhës maqedonase, ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi paraprakisht dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.