Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka shkarkuar Valdete Dakën nga pozita e kryetares së KQZ-së
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka shkarkuar Valdete Dakën nga pozita e kryetares së KQZ-së.
Në arsyetimin e Presidentes, thuhet se kryesuesi i KQZ-së duhet të jetë i pavarur.
“Znj. Valdete Daka i ndërpritet mandati si Kryesuese e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës. 2. Vendimi hyn në fuqi në datën e nënshkrimit”, thuhet mes tjerash në vendim.
Presidentja Vjosa Osmani gjatë ditës kishte kërkuar sot nga kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka që të dorëhiqet nga pozita e saj në këtë institucion.
Telegrafi kishte raportuar se Osmani i ka thënë Dakës që të dorëhiqet në këmbim të një mirënjohje nga Presidenca.
Sipas po të njëjtave burime, thuhet se Valdete Daka ka kundërshtuar një gjë të tillë.
Daka citohet t’i ketë thënë Osmanit se nuk pranon një gjë të tillë dhe se detyrën e saj e ka kryer sipas Kushtetutës.
Ndryshe, Daka është emëruar kryetare e KQZ-së më 27 prill të vitit 2018, nga ish-presidenti Hashim Thaçi, ndërkaq mandati i saj është 7-vjeçar. Ky është mandati i dytë i Dakës në krye të KQZ-së.