MaqedoniTop Lajme

Vizita e Zaevit në Sofje plot me shpresë, por në Shkup u kthye duar bosh

Shpërndaje

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev nuk mori dot një përgjigje të prerë për heqjen e vetos bullgare gjatë takimeve në Sofje para samitit të krerëve të diplomacive të BE-së, më 22 Qershor në Luksemburg.

Pas takimit në Sofje me kryeministrin bullgar në detyrë, Stefan Janev, kryeministri maqedonas tha se kapërcimi i dallimeve mes dy vendeve është i mundur, por se për këtë nevojitet përkushtim nga të dyja palët.

“Kemi biseduar për thelbin e problemit përmes udhërrëfyesit dhe propozimit portugez. Neve na takon që të flasim për raportet dypalëshe. Kemi një hapë para dhe zgjidhja është e mundur”, ka deklaruar Zaev pa dhënë detaje tjera mbi rrjedhën e bisedimeve dhe thelbin e kontestit që ka të bëjë me identitetin maqedonas, gjuhën maqedonase dhe të kaluarën historike, kontestohen nga pala bullgare.

Kryeministri, Janev tha se Bullgaria mbështet integrimin europian të Maqedonisë së Veriut, por edhe ai nuk dha detaje mbi rrjedhën e bisedimeve dhe kushtet e palës bullgare për të hequr veton.

“Për vite, politika e Bullgarisë ka qenë e orientuar drejt mbështetjes së fortë për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë. Delegacioni i Zaevit doli me një propozim konkret, të cilin do ta shqyrtojmë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe profesionale në ditët në vijim”, tha Janev.

Kryeministri maqedonas paraprakisht ka zhvilluar takime dhe me drejtues tjerë të lartë shtetëror bullgarë përfshirë edhe presidentin Rumen Radev, i cili siç ka bërë të ditur presidenca bullgare ka theksuar nevojën për dialog të drejtpërdrejtë dhe të hapur për të arritur përparim real me Maqedoninë e Veriut.

Por, ish-kryeministri bullgar, Bojko Borisov, i ka thënë Zaevit se “nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje midis Shkupit dhe Sofjes, brezat e ardhshëm të të dyja vendeve do ta urrejnë njëri-tjetrin dhe nuk do të realizohen projekte të rëndësishme në infrastrukturë”.

Kryeministri maqedonas ndërkohë ka paralajmëruar mundësinë që para anëtarësimit në BE, Maqedonia e Veriut të ndryshojë kushtetutën me qëllim që edhe pakica bullgare të jetë pjesë e preambulës së aktit më të lartë juridik në vend. Pavarësisht toneve pozitive, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë ka bërë të ditur se ende nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.