Varrosen edhe 19 viktima në 26 vjetorin e Srebrenicës
Në 26-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë varrosen edhe 19 viktima.
Eshtrat e 19 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë varrosen sot në Qendrën Përkujtimore Potoçari.
Viktima më e re që varroset është Azmir Osmanoviq, i cili ishte 16 vjeç kur u vr*a. Eshtrat e tij u gjetën në një varr masiv dhe u identifikuan në maj të këtij viti.
Viktima më e vjetër që varroset është Husein Kurbashiq – 63 vjeç në kohën kur u vr*a.
Bosnje dhe Hercegovina shënon sot 26-vjetorin e masakrës së Srebrenicës.
Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.
Në ditët që pasuan, ato vr*anë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth.
Vr*asjet ndodhën për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave mori vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende.
Në Qendrën Përkujtimore Potoçari, deri më tani, janë të varrosura mbi 6,650 viktima – në mesin e tyre mbi 430 të mitur.
Në lokacione të tjera, sipas dëshirës së familjarëve, janë të varrosura mbi 230 viktima, ndërsa kërkimet vazhdojnë ende për rreth 1,000 të zhdukur.
Masakra e Srebrenicës, e cila ndodhi pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, u cilësua si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës u njoh si gjenocid.
Deri më tani, 47 persona u dënuan me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.
Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.
Në vitin 2010, Parlamenti i Serbisë miratoi një rezolutë, me të cilën kërkoi falje për masakrën e Srebrenicës. Serbia është dashur të bëjë më shumë për të parandaluar tragjedinë, u tha në tekst.
Në Parlamentin e Serbisë janë edhe dy rezoluta të tjera – në njërën kërkohet që Srebrenica të dënohet si krim, kurse në tjetrën si gjenocid – por diskutimi për to nuk është futur ende në rend të ditës.
Këtë javë, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë, me të cilën e dënoi gjenocidin në Srebrenicë.
Një rezolutë e ngjashme u miratua edhe në Kuvendin e Malit të Zi më 17 qershor dhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në vitin 2010.
Shqipëria, deri më tani, nuk ka miratuar ndonjë dokument të ngjashëm.
Parlamenti Evropian e ka shpallur 11 korrikun Ditë të përkujtimit të gjenocidit në të gjithë Bashkimin Evropian dhe u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të veprojnë ngjashëm.
Zona ku ndodhi masakra e Srebrenicës ruhej nga paqeruajtësit holandezë të Kombeve të Bashkuara.
Në vitin 2019, një gjykatë holandeze konstatoi se Holanda ishte pjesërisht përgjegjëse për 350 vdekje në masakrën e Srebrenicës.