Mot me diell dhe shumë nxehtë! Aktivizohet faza portokalli, apelohet për kujdes
Moti sot do të jetë me diell dhe shumë nxehtë me vranësira të vogla deri në mesatare lokale. Do të fryejë erë e dobët deri në mesatare nga drejtimi perëndimor.
Temperatura e mëngjesit do të lëvizë prej 12 deri në 23 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale prej 34 deri në 42 gradë Celsius dhe do të aktivizohet nivel portokalli i rrezikut nga temperaturat e larta.
Infeksi UV do të arrijë 9.
Në Shkup dhe rrethinë mot me diell dhe shumë nxehtë me vranësira të vogla deri në mesatare dhe me erë të dobët deri në mesatare nga drejtimi perëndimor. Temperatura e mëngjesit do të bie deri në 20 gradë Celsius, ndërsa e ditës do të arrijë 39 gradë Celsius.
Nesër do të mbajë mot stabil dhe shumë i nxehtë do të fryejë erë e përkohshme e fuqishme jugore dhe do të aktivizohet niveli portokalli i rrezikut nga temperaturat e larta. Në orët e mbrëmjes, gjatë natës edhe të premten do të ketë rritje të vranësirave dhe kushte për shi të rrëmbyeshëm lokal, bubullima dhe erë të përforcuar ndërsa temperatura do të zvogëlohet prej 3 deri në 5 gradë Celsius.
Ministria e Shëndetësisë dje kumtoi se sot dhe nesër gjithë territori i shtetit do të jetë i kapluar me temperatura të fazës portokalli, dhe sipas planit aksionar për parandalim të pasojave nga valët e të nxehtit mbi shëndetin e popullatës, duhet të respektohen masat e përgjithshme për mbrojtje të shëndetit.
Masat përfshijnë lirim nga obligimet e punës për grupet më të rrezikuara të popullatës, duke i përfshirë gratë shtatzëna dhe personat e moshës mbi 60 vjeç, në institucione për kujdes të fëmijëve të mos praktikohen aktivitete fizike dhe të mos nxiren jashtë fëmijët në periudhën nga ora 11:00 deri në 17:00, njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe qendrat për punë sociale në rajonet e përfshira me valën e nxehtë të kenë qasje më aktive dhe të ofrojnë ndihmë për personat e vetmuar, të moshuar, të palëvizshëm dhe të pastrehë.
Popullata duhet të qëndrojë në hapësira të mbyllura (me ajër të kondicionuar) ndërsa gjatë qëndrimit të domosdoshëm në hapësirë të hapur në këtë periudhë, të gjendet mundësi për pushime më të shpeshta nën hije, të mbahet veshëmbathje e ndritshme dhe e lehtë. Gjatë ekspozimit direkt në diell të mbahen syza mbrojtëse dhe kapelë të përdoret edhe krem me faktor të lartë të mbrojtjes, të konsumohet sasi më e vogël e ushqimit, kryesisht pemë dhe perime, ndërsa më shumë sasi të mëdha të pijeve, më mirë do të ishte ujë i thjeshtë për pije, si dhe të shmangen pijet alkoolike. Gjatë hyrjes në automjet, për një periudhë duhet të ajroset dhe personave me sëmundje kronike u rekomandohet rregullisht ta marrin terapinë, në konsultim me mjekun amë.
Për shkak të temperaturave të larta dhe mundësisë së rritur për paraqitje të helmimeve me ushqim dhe sëmundjet ngjitëse të zorëve, rekomandohet larja e pemëve dhe perimeve para përdorimit të tyre, gatishmëria termike e ushqimit dhe konsumimi menjëherë pas përgatitjes, informojnë nga Ministria dhe potencojnë se Komisioni për ndjekje të efekteve nga temperaturat e larta vazhdimisht e ndjek gjendjen dhe sipas nevojës do të propozojë masa dhe aktivitete për minimizim të efekteve eventuale të dëmshme nga temperaturat e larta.