S’ka pajtueshmëri ende për datën dhe agjendën e takimit Kurti-Vuçiq
Megjithëse është paralajmëruar se në muajin shtator do të mbahet takimi i tretë ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ende nuk është gjetur pajtueshmëri për datën dhe agjendën e diskutimit.
E njëjta, sipas ndërmjetësuesve nga Brukseli do të bëhet publike në kohën dhe momentin e përshtatshëm. Pavarësisht kësaj, nga ekzekutivi nuk bëjnë të ditur se cilat tema do t’i shtyjnë përpara në këtë takim, ndërsa opozita dhe shoqëria civile shprehën skeptike për rezultate pozitive.
Mungesën e pajtueshmërisë për datën dhe agjendën e takimit të shtatorit e konfirmon për KosovaPress edhe zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano.
“Ne do të shpallim datën dhe agjendën e takimit të ardhshëm të dialogut kur është e përshtatshme”, thuhet në përgjigjen e shkurtë të tij për KosovaPress.
Lidhur me këtë, të heshtur kanë qëndruar edhe nga Qeveria e Kosovës. KosovaPress ka kontaktuar zyrtarët qeveritarë, mirëpo të njëjtit nuk kanë treguar se cilat tema do t’i shtyjë parapara në këtë takim, kryeministri Albin Kurti.
Por, nga partia opozitare, LDK i bëjnë thirrje kryeministrit Kurti që mos t’i bëhet mbulesë presidentit serb, Vuçiq për vazhdimin e status-qou-së, pasi ky i fundit po përpiqet të gjejë alibi për të mos gjetur zgjidhje
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti thotë se kreu qeveritar duhet të insistojë në zgjidhjen për njohje reciproke në kufijtë aktual.
“Duket qartë se presidenti i Serbisë nuk është i gatshëm për zgjidhje, por përpiqet të gjejë alibi për të mos gjetur zgjidhje. Këtë alibi këtë po e kërkon, por Kosova, Qeveria dhe kryeministri ynë nuk guxon t’i jap mbulesë Vuçiqit në këto përpjekje të tij djallëzore. Ata janë të interesuar për status-qou, Kosovës nuk i intereson ajo, ajo duhet të kërkojë zgjidhje me njohje reciproke në kufijtë aktual në mënyrë që ne si shtet i përgjegjshëm gradualisht të bëhemi pjesë e sistemit ndërkombëtar”, thotë ai.