Erdogan me rastin e hapjes të konsullatës në Novi Pazar: Popujt e Ballkanit i pret një e ardhme e mirë
Me rastin e hapjes së Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Turqisë në Novi Pazar, presidenti Recep Tayyip Erdoğan tha se nëse lëvizin së bashku “popujt e Ballkanit kanë një të ardhme të ndritur dhe duke punuar së bashku do të çrrënjosim FETO-n”, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai theksoi se Konsullata e Përgjithshme e Turqisë në Novi Pazar po hapet katër vjet pas vizitës së tij në këtë qytet në vitin 2017, duke shprehur gëzimin për mundësinë që sërish t’u drejtohet banorëve të këtij qyteti.
Ai falënderoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për mbështetjen e tij gjatë procesit të hapjes së konsullatës në Novi Pazar.
“Hapja e Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Novi Pazar do t’i japë mbështetje shtesë zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve Turqi-Serbi. Konsullata jo vetëm që do të jetë në shërbim të qytetarëve serbë, por gjithashtu do të jetë në shërbim të banorëve të Sanxhakut. Ne i shohim vëllezërit tanë në Sanxhak si një urë miqësie midis Serbisë dhe Turqisë”, tha Erdoğan.
Presidenti turk shtoi se një lidhje e fortë emocionale, “siç mund ta shohim, kontribuon në marrëdhëniet në të gjitha fushat, kurse konsullata do të japë një kontribut shtesë për të gjithë këtë”.
Erdoğan tha se investitorët turq veprojnë në të gjitha pjesët e Serbisë, duke kontribuar kështu në punësimin dhe zhvillimin.
“Aktivitetet në projektet e infrastrukturës vazhdojnë me intensitet të pandërprerë. Rruga midis Novi Pazarit dhe Tutinit, me dëshirën e Zotit, do të jetë funksionale vitin e ardhshëm. Autostrada Beograd-Sarajevë, së bashku me objektet e tjera të infrastrukturës, do të ndihmojnë në lidhjen e Sanxhakut me rajonin. Ne inkurajojmë investitorët për të investuar në Serbi dhe Sanxhak. Populli i Sanxhakut tregoi solidaritet dhe mbështetje për Turqinë gjatë përpjekjes tradhtare të grushtit të shtetit më 15 korrik 2016, të kryer nga terroristët e FETO-s ndërsa presidenti Vuçiç ishte ndër udhëheqësit e parë që na mbështeti natën e grushtit të shtetit. Ne kurrë nuk do ta harrojmë lëvizjen e tij kurajoze. Duke punuar së bashku, ne do të çrrënjosim organizatën terroriste FETO nga Ballkani”, tha Erdoğan, duke shtuar:
“Ne serbët, boshnjakët, shqiptarët dhe të gjithë popujt e tjerë në Ballkan i shohim si miqtë tanë shekullorë me të cilët do të vazhdojmë të punojmë. Besojmë se popujt e Ballkanit, nëse lëvizin së bashku, do të kenë një të ardhme të mirë”.
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Turqisë në Novi Pazar (Serbi), konsullata e parë në këtë qytet, u hap sot me ceremoni zyrtare me prerjen e shiritit.
Presidentët e Turqisë dhe Serbisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe Aleksandar Vuçiç, iu drejtuan ceremonisë së hapjes përmes video-mesazhit ndërsa shiriti u pre nga ministrat e Jashtëm të të dy vendeve, Mevlüt Çavuşoğlu dhe Nikola Selakoviç, të shoqëruar nga një delegacion.
Përveç presidentit dhe ministrave, në ceremoninë e hapjes folën ambasadori turk në Serbi, Hami Aksoy dhe konsulli Basar Basol ndërsa morën pjesë Sead Nasufoviç, Reis-ul-Ulema i Bashkësisë Islame të Serbisë, kryetari i Novi Pazarit, Nihad Bishevac, kryetarja e Këshillit Kombëtar Boshnjak, Jasmina Curiç, Rasim Ljajiç, udhëheqës i Partisë Social Demokratike të Serbisë, zyrtarë dhe qytetarë të tjerë të shumtë.