Gazeta zvicerane boton intervistën me mjekun tetovar në gjuhën shqipe
Një ndër gazetat më të njohura zvicerane,”Tages-Anzeiger”, ka botuar intervistën me mjekun shqiptar në Cyrih.
Shqiptarët njihen gjithandej për sukseset e tyre në profesione të ndryshme. Zvicra është ndër shtetet ku jetojnë dhe veprojnë shumë shqiptarë të suksesshëm, e një ndër ta është edhe mjeku Omer Xhemaili.
Xhemaili, i lindur në Tearcë të Tetovës, është shef i kirurgjisë së zemrës në Spitalin Triemli të Qytetit të Zürichut.
Ndërkohë, Xhemaili ka dhënë një intervistë për një ndër gazetat më të njohura zvicerane,”Tages-Anzeiger”, ku ka treguar përse është e ulët kuota e vaksinimit në komunitetin shqiptar dhe çfarë mund të bëhet kundër kësaj. Por ajo që vlen të ceket është se kjo gazetë e ka botuar intervistën e mjekut shqiptar në gjuhën shqipe.
Çfarë ka thënë doktori në këtë intervistë, mund ta lexoni më poshtë, ku po ashtu e keni të bashkëngjitur vegëzen e publikimit të gazetës zvicerane.
Shkrimi i plotë:
«Është e papërgjegjshme të mosvaksinoheni»
Omer Xhemali (Dzemali) është shef i kirurgjisë së zemrës në Spitalin Triemli të Qytetit të Zürichut. I lindur në Maqedoni, ai tregon përse është e ulët kuota e vaksinimit në komunitetin shqiptar dhe çfarë mund të bëhet kundër kësaj.
Ju jeni kirurg i zemrës, pacientët tuaj shpesh duhet t’i nënshtrohen trajtimit intensiv. Tani në trajtim intensiv janë shumë pacientë me Covid, mes tyre shumë njerëz që ngjashëm si ju janë me origjinë nga Ballkani. Me çfarë ndjenja e shikoni këtë gjendje?
Si kirurg zemre unë jam i varur nga reparti i trajtimit intensiv. Është tepër e rëndësishme që aty të kemi kapacitete për t’i trajtuar pacientët tanë. Rritja e tanishme e shifrave është shqetësuese, po ashtu edhe vala e ardhshme, andaj ne mund të gjendemi në një situatë kur pacientëve tanë s’mund t’u ofrojmë cilësinë e trajtimit, e cila u takon. Natyrisht po ashtu më prek fati i çdo pacienti, pa marrë parasysh prejardhjen e tij.
Njerëzit me prejardhje shqiptare po infektohen mbiproporcionalisht me koronë, sepse nuk janë vaksinuar dhe po sëmuren aq rëndë, saqë duhet të trajtohen në spital dhe shpesh madje në reparte intensive. Ç’domethënie ka kjo për ju si njeri me origjinë nga Ballkani?
Është e vërtetë se te ne në Spitalin Triemli janë të shtrirë relativisht shumë persona me origjinë shqiptare, të cilët sapo janë kthyer nga pushimet, fjala është për persona të moshave të ndryshme. Konsideroj se është e papërgjegjshme të mos vaksinohesh. Si mjek unë nuk shoh arsye për të mos u vaksinuar. Por skepticizmi ndaj vaksinimit nuk ekziston vetëm te komuniteti shqiptar, për fat të keq ky skepticizëm është gjerësisht i përhapur. Edhe në Zvicër kuota e vaksinimit e personave që kanë marrë dy doza është ende shumë e ulët – në shumë kantone nën 50 për qind.
Bie në sy se kuota e vaksinimit në shtetet e Ballkanit është tepër e ulët, sidomos në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë dhe Shqipëri. Prej nga vjen ky skepticizëm ndaj vaksinimit?
Duhet dalluar dy gjëra: nga njëra anë është skepticizmi ndaj vaksinimit. Ai sigurisht ekziston, por besoj se jo në përmasa shumë më të mëdha se te zviceranët. Nga ana tjetër kuota e vaksinimit është e ulët sepse shtetet e Europës Perëndimore nuk i kanë furnizuar vendet e Ballkanit me kohë me doza të vaksinës. Vendet si Serbia qëndrojnë më mirë, sepse janë furnizuar nga Rusia dhe Kina. Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë të orientuara nga Perëndimi, ato kanë marrë tepër vonë vaksina të Biontechut, ndërsa vaksinën Monderna nuk e posedojnë fare. Për këtë shkak vaksinimi ka stagnuar dhe për këtë shkak numri i infektimeve është rritur si pasojë e vizitave nga diaspora gjatë verës.
A keni qenë ju për pushime në atdheun tuaj të dikurshëm?
Po, kam qenë për pushime verore. Shpesh kam ecur në bjeshkë, gjë që e bëj me qejf edhe në Zvicër. Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë vende me shumë kodra. Në kryeqytete masat nuk kanë qenë aq të ashpra, në dyqane ka ekzistuar obligimi për të bartur maskën. Por sa më në thellësi të vendit që shkoje, aq më pak respektoheshin masat mbrojtëse. Më së paku në festa dhe dasma. Aty shumë njerëz janë takuar të pambrojtur me njëri-tjetrin. Ndërkohë autoritetet në Kosovë i kanë ashpërsuar dukshëm masat – vendi gjendet pak para mbylljes.
Të kthehemi te skepticizmi ndaj vaksinimit. Cilat janë arsyet për këtë?
Njerëzit janë të keqinformuar. U besojnë raporteve, sipas të cilave bashkë me vaksinën implantohet një mikroçip. Ose nuk i besojnë teknologjisë së re të vaksinimit. Pra, nga njëra anë kanë qenë raportimet kritike, nga ana tjetër njerëzit nuk janë informuar sa duhet. Shpesh njerëzit nga komuniteti shqiptar më kanë kontaktuar dhe më kanë pyetur se ç’mendim kam për vaksinimin. Ua kam thënë këtë: fëmijët e mi janë të vaksinuar, unë jam vaksinuar, gruaja ime po ashtu. Ky është qëndrimi im. Po ashtu i kam vënë njerëzit para zgjedhjes: infektimi me koronë me pasoja eventualisht të rënda apo vaksinimi, pas të cilit ne deri më tani kemi parë efektet e zakonshme, por jo ndonjë katastrofë. Kështu ia kam dalë t’ua heq njerëzve skepticizmin dhe pastaj ata janë vaksinuar.
A jeni angazhuar për vaksinim edhe përtej kontakteve personale?
Kam marrë pjesë në një fushatë të Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë. Përmes Zoomit kemi bërë deklarata në favor të vaksinimit, të cilat pastaj janë emituar në televizionet publike dhe private në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri. Ka edhe video në Youtube në lidhje me këtë. Kjo ka efekt. Po ashtu është efektive kur mjekët e shtëpisë të shoqërisë sonë i pyesin direkt pacientët në lidhje me vaksinimin.
Pra, duhet angazhim personal për t’i bindur njerëzit. Çfarë mendimi keni për fushatën e kantonit, e cila synon që me afishe dhe video t’i shtyjë njerëzit me origjinë të huaj që të vaksinohen?
Kjo fushatë nuk ka arritur t’i përfshijë të gjithë, por disa po – para së gjithash gjeneratën e re. Gjenerata e dytë e të huajve ka mundësinë të bindë gjeneratën më të vjetër duke e informuar si duhet.
Gjatë valës së dytë ju për shkak të mbingarkesës së repartit intensiv keni qenë të detyruar t’i shtyni operacionet e planifikuara të zemrës. A janë dëmtuar pacientet dhe pacientët?
Fatmirësisht nuk kemi pasur komplikime të mëdha. Kemi qenë të detyruar të shtyjmë operacione, por këtë e kemi bërë duke triazhuar mirë. Varësisht nga serioziteti i sëmundjes kemi arritur që pacientët t’i operojmë shpejt apo më pak shpejt. Më vështirë ka qenë t’ua shpjegojmë se duhet të presin. Shpesh ata kanë frikë se mund të ndodhë diçka derisa presin. Ndërkohë të gjithë ata që kanë qenë në lista të pritjes janë trajtuar.
A mund të evitoni një mbingarkesë të re të spitaleve?
Shpresoj se po, por numri i vaksinimeve duhet të rritet dukshëm. Tani është shumë me rëndësi që ta përfshijmë mbarë popullatën. Jemi të varur nga bashkëpunimi i popullatës, në mënyrë që të kujdesemi për shëndetin e njerëzve në kantonin e Zürichut dhe më gjerë. Është në dorën e shoqërisë sonë të çlirohet nga prangat e Covidit. Të gjithë duam të kemi lirinë tonë të dikurshme.